Kurti për bisedimet me Vuçiqin: Kur ai flet, unë nuk ndërhyj - kur unë flas, ai ankohet - NACIONALE

Kurti për bisedimet me Vuçiqin: Kur ai flet, unë nuk ndërhyj - kur unë flas, ai ankohet

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Serbia nuk është e interesuar në normalizimin e marrëdhënieve, derisa ka dhënë pak detaje edhe nga bisedimet e tij me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. Në një intervistë për “Politico”, të realizuar një ditë pas drekës në Bruksel, shefi i Qeverisë së Kosovës ka pasur kritika edhe për përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe emisarin për dialogun, Miroslav Lajçak.

Pasi mori pjesë në drekën e organizuar nga presidentja e Komisionit Evropian, Kurti në këtë intervistë ka thënë:

“Qasja e Beogradit nuk është normalizimi i marëdhënieve me Kosovën...Si ka mundësi që kanë thënë po për Marrëveshjen e Ohrit, por kanë refuzuar ta nënshkruajnë?”

Sipas “Politico”, pavarësisht se u ulën në një tavolinë në Bruksel javën e kaluar, dy liderët nuk kanë folur direkt dhe kanë vazhduar të shkëmbejnë kunja.

Pasi Vuçiq tha se nuk ka “marrëdhënie” me Kurtin, kryeministri i Kosovës ia ka kthyer: “Kur ai flet, unë nuk ndërhyj. Kur unë flas, ai ankohet”.

Shefi i Qeverisë së Kosovës tutje ka thënë se Serbia po strehon krimineli serb, Milan Radojiçiq, personin që udhëhoqi sulmin e armatosur tash një vit në Banjskë të Zveçanit.

“Radojiçiq është i lirë në Serbi, mbrohet dhe financohet nga Serbia.” – u shpreh Kurti, transmeton Nacionale.

Tutje, sipas mediumit të njohur, ai ka pasur kritika edhe për kryediplomatin evropian, Josep Borrell dhe emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

“Problemi është se z.Borrell dhe Lajçak nuk i kanë rënë bilbilit kur ka pasur shkelje. Imagjinoni një gjyqtar në një fushë futbolli pa bilbil”.

Pyetur për koment rreth deklaratave të Kurtit, zyra e kryediplomatit serb, Marko Djuric, raportohet se ka dërguar një dokumentë tetë faqësh ku kryesisht, akuzon Kosovën se ka dështuar ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Kosova po përdor argumentin, ‘fillimisht na duhen nënshkrimet’ vetëm për të luajtur lojën e fajita me Beogradin. Kosova vazhdon të injorojë të gjitha obligimet e saj nga dialogu.” – kanë thënë nga kjo zyrë.

Në fund, “Politico” shkruan se gjërat mes Kosovës dhe Serbisë nuk po bëhen mirë.

“…kjo nuk do të ndihmojë asnjërën nga shtetet në rrugën e tyre drejt anëtarësimi në BE, derisa Komisioni po përgatitet të publikojë një seri raportoresh të detajuara mbi përspektivat e vendeve kandidate”.

Vlen të theksohet se Borrell pritet që sot të organizojë një drekë në Nju Jork, ku po ashtu janë të ftuar liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Aktualisht, në ShBA po qëndrojnë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryediplomatja Donika Gërvalla në kuadër të sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Lajme të ngjashme