Kurti pasi publikoi pamje të ushtrisë serbe: Po e shikoj telefonin, deri në ora 16:00 s’janë afruar më
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur sërish rreth lëvizjeve të ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën, pasi publikoi një video gjatë mbrëmjes së kaluar.
Kurti ka thënë se janë në komunikim të vazhdueshëm dhe sipas tij, “gjithçka është nën vëzhgim”.
“Kur ka situata të këtilla kur mund të cenohet siguria meqenëse automjetet ushtarake afrohen afër kufirit, ne i përcjellim me vëmendje nëse po synojnë ta kalojnë kufirin. Janë në komunikim të vazhdueshëm Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mbrojtjes dhe AKI. Gjithçka është nën vëzhgim dhe në gjendje përgatitore e gatishmërie për çfarëdo befasie që mund të na ndodhë. Në ndërkohë, natyrisht që këto institucione diskutojnë, bashkëbisedojnë dhe njoftojnë partnerët tonë ndërkombëtarë. Edhe KFOR-in, EULEX-in, por edhe NATO-n e BE-në ma lart.” – citohet se ka thënë ai.
Ndërkohë, kryeministri ka shtuar se ka shikuar telefonin, dhe se deri në orën 16:00 derisa ka folur para mediave, nuk ka dëshmi që ushtarët serbë janë afruar sërish pranë kufirit.
“Tash deri në orën 16:00 sepse jam duke e shikuar telefonin derisa po flasim këtu për media s’ka asnjë dëshmi që sot janë afruar sërish. Ata i kanë disa ushtrime ushtarake, por ato s’mbahen 10 metra larg kufirit. Pra, ata po vijnë shumë afër kufirit ku s’ka nevojë as për dronë e as për dylbi për t’u parë me njëri-tjetrin. Nëse dëshiron normalizim të marrëdhënieve, ushtria rri në kazerma dhe jo te kufiri.” – ka thënë ai.