Kurti paralajmëron hetime për vërshimet: Përveç me pasojat, do të merremi edhe me shkaktarët
Kryeministri Albin Kurti ka folur relativisht gjatë në lidhje me vërshimet në disa zona në Kosovë, përfshirë Mitrovicën, Skenderajn, Istogun e Klinën.
Kurti ka paralajmëruar se do të hetohen të gjitha veprimet e dëmshme karshi ekosistemit në Kosovë.
“Përveç me pasojën, duhet të merremi edhe me shkaktarët e shkallës së vërshimeve. Dëmtimi i brigjeve dhe shtretërve të lumenjve nga eksploatimi i egër i zhavorit, hedhja e mbeturinave në lumenj, prerja ilegale e pyejeve dhe mungesa e pyllëzimit, sistemet joadekuate të kanalizimit dhe ujëmbledhjes, planifikimi jo i duhur i infrastrukturës publike, si dhe ndryshimet klimatike globale, padyshim i kanë lehtësuar, shpejtuar e shpeshtuar përmbyjtjet në vendbanimet tona…Duhet hetim edhe për veprimet e jashtëligjshme në dëm të ekosistemit. Nuk mjafton rimëkëmbja, nëse nuk nxjerrim mësime.” – tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.
Tutje Kurti ka thënë se e ka parë edhe personalisht fuqinë shkatërruese të vërshimeve, duke shtuar se Qeveria e Kosovës ka vepruar shpejt për t’u dalë në ndihmë qytetarëve.

