Kurti pa kravatë, deputetë të buzëqeshur, Hovenier kritikon Kosovën: Çka u pa në festën e ambasadës së ShBA-së? - NACIONALE

Kurti pa kravatë, deputetë të buzëqeshur, Hovenier kritikon Kosovën: Çka u pa në festën e ambasadës së ShBA-së?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shumë njerëz tepër të lumtur u panë në festën e Ambasadës amerikane në Kosovë, të organizuar për nder të 4 Korrikut, ditës së pavarësisë së ShBA-së. Shumë deputetë të VV-së ishin prezent, të cilët u panë të lumtur e fytyrbuzëqeshur, ndërsa kryeministri Albin Kurti u shfaq pa kravat dhe në shoqëri të gruas së tij, e Vjosa Osmani ishte prezente familjarisht. Por ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ishte i qartë në shpërfaqjen e “pezmatimit të ShBA-së” me Kosovën. Çka u pa në festën për 4 Korrikun?

Përkundër se ishte ditë festive e organizim ceremonial, ambasadori Hovenier e shfrytëzoi rastin që edhe një herë të tregojë pakënaqësinë e ShBA-së për situatën aktuale në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Amerikës. Hovenier theksoi se Kosova nuk i ka përmbushur idealet e Deklaratës së Pavarësisë, që u shpall më 17 Shkurt të vitit 2008.

“Kosova [shpallet] një Republikë demokratike, laike dhe multietnike, e udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse”, citohet amabsadori amerikan, teksa shtoi se "ky tekst elokuent është pjesë e premtimit të Kosovës dhe bazë e pavarësisë së saj dhe se Kosova nuk i ka përmbushur premtimet e këtyre idealeve".

Tutje, ambasadori amerikan foli edhe për kundërshtimet dhe mos dëgjimin e këshillave të ShBA-së nga ana e Kosovës.

“Nëse ju kërkojmë të bëni gjëra që duken ose janë të vështira ose ndërmarrim veprime si pasojë ose në përgjigje të vendimeve që janë në kundërshtim me këshillat dhe kërkesat tona, e bëjmë këtë në përputhje me përkushtimin tonë afatgjatë për ta mbështetur popullin e Kosovës për t’iu afruar këtyre idealeve shume ambicioze”, tha dje ambasadori amerikan.

Fytyrat e buzëqeshura

Në takimin për festën e 4 Korrikut, Kurti u pa në shoqërinë e gruas së tij, Rita Augestad Knudsen, e cila rrallë shihet në paraqitje publike në Kosovë, pasi sipas dyshimeve, ajo vazhdon të jetojë në Norvegji, bashkë me fëmijën e saj e të Kurtit. Në këtë takim, Kurti u pa me një veshje më të relaksuar, ishte pa kravat.

Ndërsa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte “familjarisht” e pranishme në festën e 4 Korrikut, pasi përveç bashkëshortit të saj, zotëriut së parë zotëri Prindon Sadriu (pra zotëriut në katëror), Osmani i mori me vete edhe dy vajzat e saj. Në këtë festë, Osmani e mbajti një fjalim, ku e quajti ShBA-në më shumë se aleate.

“Ne do të vazhdojmë gjithmonë të shikojmë lart nga Shtetet e Bashkuara, unë gjithmonë them se ne në fakt jemi një zgjatim i vlerave amerikane. Pra, kur themi se Kosova është edhe shtëpia juaj, me të vërtetë shpresoj që ju ta ndjeni këtë fort çdo ditë. Për ne, Shtetet e Bashkuara nuk janë thjesht një aleat, por më tepër një udhërrëfyes, një udhërrëfyes dhe një udhëheqës në përpjekjet tona globale për të mbrojtur lirinë, demokracinë dhe drejtësinë për të gjithë.” – theksoi ajo.

Në festë kishte edhe shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës, ndërsa deputetët e VV-së u panë jashtëzakonisht të lumtur për pjesëmarrjen e tyre. Ata publikuan shumë fotografi, veç e veç, por edhe truq, duke e “lartësuar” miqësinë kosovaro-amerikane.

“Për miqësinë e përjetshme!” – shkroi Mimoza Kusari-Lila, shefe e grupit parlamentar të VV-së, e cila e publikoi një fotografi me një kallabllak deputetë të VV-së.

Ndërsa deputeti tjetër i VV-së, Nijazi Iskau, publikoi fotografi me Kurtin pa kravat, duke shkruar se festa vazhdon.

“Festa vazhdon së bashku me kryeministrin Albin Kurti, kryeparlamentarin, Glauk Konjufca dhe kolegë. Të bashkuar!” – shkroi ai, duke e postuar edhe flamujtë e Kosovës e ShBA-së.

Në këtë festë, u panë edhe deputetët e opozitës dhe djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, Endriti.

Lajme të ngjashme