Kurti njofton për blerjen e dronëve Bayraktar nga Turqia: Kosova tashmë më e sigurt përveçse gjithnjë krenare
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se tashmë Forca e Sigurisë së Kosovës ka blerë dronë të tipit Bayraktar TB-2 nga Turqia. Përmes një shkrimi në Facebook, Kurti tha se vendi tashmë “edhe më i sigurtë përveçse gjithnjë krenarë” si dhe përgëzoi oficerët që kryenë trajnimin për përdorimin e dronëve.
“Arsenalit të ushtrisë sonë i kemi shtuar edhe dronë Bayraktar TB-2 të cilët i kemi blerë si Qeveri nga Turqia! Në dy vjet qeverisje e kemi shtuar për mbi 80% numrin e ushtarëve dhe mbi 100% buxhetin për ushtrinë. Kosova tash është edhe më e sigurt përveçse gjithnjë krenare! Me Komandantin e FSK-së gjenerallejtnant Bashkim Jashari dhe Ministrin e Mbrojtjes Armend Mehaj përgëzuam oficerët që e kanë kryer trajnimin për përdorimin e dronëve”, ka shkruar ai.