Kurti nga Brukseli foli për Marrëveshjen Bazike dhe "rimendimin" e tij për vazhdimin e dialogut
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën ka zhvilluar takime me lidershpin e ri të Bashkimit Evropian në Bruksel. Kurti atje është takuar me kryediplomaten e BE-së, Kaja Kallas si dhe me shefin e ri të Komisionit Evropian, António Costa, i cili ishte gjithashtu nikoqir i darkës me liderë të Ballkanit Perëndimor. Kurti nga Burkseli foli edhe për dialogun dhe për marrëveshjen. Çka tha ai?
Kryeministri Albin Kurti gjatë të martës më 3 dhjetor ka marrë pjesë në darkën e BE-së me liderët e Ballkanit Perëndimor.
Para kësaj darke, Kurti ka takuar ndaras, shefen e re të politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas si dhe shefin e ri të Komisionit Evropian, Antonia Costa.
Kurti në një deklarim për medie pas takimeve foli për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë si dhe për marrëveshjen e Ohrit.
Ai ka thënë se nuk ka ndryshuar qëndrimin e tij dhe për “rimenduar” vazhdimin e dialogut duhet të ndryshojë Serbia.
Kurti ka thënë se Sebria po e shkel marrëveshjen dhe po e saboton atë.
“Unë nuk e kam ndryshuar qëndrimin tim sepse Serbia s’ka ndryshuar. Pra, nuk pritet që të bëhen ndryshimet në Bruksel, duhet të bëhen ndryshimet në Beograd sa i përket qasjes ndaj Kosovës në mënyrë që unë ta rimendoj qëndrimin tim lidhur me vazhdimin e dialogut, i cili edhe njëherë po e them asnjëherë nuk bën të përmendet pa u përmend fjala që kena marrëveshje bazike po Serbia po e shkel, ish-Komisioni Evropian nuk i binte pipit filikaqes kur kishim shkelje, dhe nuk ka pasur as mirëbesim as vullnet të mirë për zbatimin e marrëveshjes të cilën e kanë pranuar. Beogradi nuk mund të thotë që s’e ka pranu marrëveshjen. Por ata po dëshirojnë që tash ta sabotojnë realizimin e saj.” – ka thënë ai.
Kurti në takim me Kallasin ka biseduar edhe për sulmin e fundit në kanalin e Ibër Lepencit, të cilën e ka njoftuar për hetimet që janë duke u zhvilluar.
Më tej, Kurti për kryediplomaten e re ka thënë se është në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, ndërsa për shefin e KE-së i ka thënë se i “ofrova bashkëpunim të ngushtë dhe të sinqertë, gjersa vendi ynë mbetet i palëkundur në përkushtimin për integrim brenda familjes evropiane, aty ku Kosova përket.”.
Në anën tjetër, kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, në një shkrim në rrjetin social “X” ka thënë se rruga e vetme drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, është normalizimi i marrëdhënieve.
Po ashtu, ajo ka shtuar se ka mirëpritur gatishmërinë e dy palëve për bashkëpunim të plotë pas sulmit të fundit terrorist.
“Takova Aleksandër Vuçiq dhe Albin Kurtin sot. Rruga e vetme për anëtarësim në BE është përmes ormalizimit të marrëdhënieve të tyre, në bazë të marrëveshes së Ohrit. Mirëprita gatishmërinë për bashkëpunim të plotë pas sulmit të fundit terrorist. Përgjegjësigt duhet të përballen me drejtësinë.” – ka shkruar ajo, transmeton Nacionale.
Me dy liderët e BE-së është takuar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka cilësuar si takime të “vështira”.
Ai ka thënë se atij i është kërkuar zgjidhje për sulmin në Banjskë, vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë si dhe domosdoshmërinë për vazhdimin e dialogut me Kosovën.