Kurti: Nesër në mëngjes shkoj në Bruksel, në qershor 2021 ishte takimi i parë – të shohim ku ndodhemi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka konfirmuar se nesër në mëngjes do të udhëtojë për në Bruksel, atje ku pritet të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Kurti para gazetarëve, ka rikujtuar në qershor të vitit 2021, u takua për herë të parë me Vuçiq dhe se këtë herë, po shkon që të rikapitullohet ky proces tre vjeçar.
“Nesër në mëngjes udhëtoj për në Bruksel. E kam konfirmuar edhe pjesëmarrjen time. Nuk ka pasur takim të nivelit të lartë që nga shtatori i vitit të kaluar, dhe në këtë qershor janë bërë tri vjet të dialogut ku marrë pjesë unë si kryeministër. Në mes të qershorit 2021 pat qenë takimi i parë. Përveç tjerash, takimi i nesërm, edhe bilateral edhe trilateral, do të jetë në funksion të rikapitullimit të këtij procesi tre vjeçar. Të shohim në çfarë gjendje ndodhemi, dhe cilat janë idetë të ecim përpara. Për bindjen time, marrëveshja bazike e 27 shkurt, me pjesën integrale, aneksin e zbatimit nga Ohrit të 18 marsit, e bën normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, me njohjen de facto, së paku de facto, në qendër. Kjo është zjgihjda evropiane, por që nuk është realizuar deri sot. Para zbatimit, kemi pasur marrëveshje sistematike të saj, që ka kulmuar me letrën e Bërnabiq, ku Serbia praktikisht u tërhoq nga marrëveshja bazike.” – tha ai.
Kurti tutje ka përmendur edhe sulmin e Bajnskës:
“Nga mosrespektimi, nga shkelja e marrëveshjes bazike, vijnë problemet me Serbinë. Më lejoni të theksoj që dje janë bërë 9 muaj prej kur u vra rreshteri policor, Afrim Bunjaku, pra 9 muaj që kryekrimineli Milan Radojiçiq, ndodhet në liri. Nesër, do të bëhen një vit prej se janë liruar tre policët që u patën rrëmbyer në afërsi të kufirit me Serbinë, por gjithsesi në territorin e Kosovës, pasi u mbajtën peng për 12 ditë.
Kemi pasur tensione, nganjëherë edhe eskalime, të gjitha e kanë adresën, sepse përgjegjësinë e fajësinë e kanë në Beogradin zyrtar.” – u shpreh shefi i Qeverisë.
Sa i përket heqjes së masave, Kurti tha se shpreson që shtetet anëtare të dëgjojnë opinionin e kryediplomatit evropian, Josep Borrell.
Duke folur për “heqjen graduale të tyre”, siç kanë kërkuar disa shtete anëtare, Kurti tha se në raportin e Borrell, thuhet qartë se nuk ka më arsye që masat të qëndrojnë.
“Besoj që qëndrimin e qartë që duhet ta ndjekin të gjitha shtetet, e ka dhënë zëvendëspresidenti evropian, Josep Borell që ka thënë se edhe ato arsye dikur të konsideruara, nuk ekzistojnë më. Ka ndodhë deeskalimi, ka ndodhur rieskalimi për shkak të sulmit terrorist në Bajnskë të Zveçanit, dhe gjithashtu, duhet theksuar që Kosova e ka bërë udhëzimin administrative, ka mundësuar mbledhjen e peticionit në veri, mirëpo më pastaj, më datë 21 prill ato bojkotuan zgjedhjet që ofruam. Nga ana e Kosovës gjithçka është kryer, zbatuar, për normalizim e deeskalim, prandaj e keni atë sugjerim të zëvendëspresidentit Josep Borrell, të cilin shpresoj e uroj që shtetet anëtare, që në një mënyrë e kanë shef të politikës së jashtme, ta dëgjojnë dhe ta respektojnë me sinqeritetin më të lartë.” – tha Kurti në fund.