Kurti në takim me Sørensen: Zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit prodhon stabilitet dhe rezultate - NACIONALE

Kurti në takim me Sørensen: Zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit prodhon stabilitet dhe rezultate

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen, në takimin e parë mes tyre pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Gjatë këtij bashkëbisedimi, kryeministri Kurti ka theksuar se rezultati i zgjedhjeve të fundit ka sjellë një legjitimitet të ri dhe të fuqishëm demokratik, i cili garanton parashikueshmëri politike dhe stabilitet institucional në vend. Sipas tij, ky legjitimitet i drejtpërdrejtë, i ndërtuar mbi vullnetin e qytetarëve, e forcon funksionimin e rendit kushtetues dhe e rrit kredibilitetin e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë.

Megjithatë, Kurti theksoi se një situatë e tillë nuk vlen për palën tjetër në dialog, duke vënë në dyshim legjitimitetin dhe stabilitetin e lidershipit në Serbi.

Ai riafirmoi gatishmërinë e Kosovës për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe për dialog konstruktiv në Bruksel. Kryeministri e cilësoi të domosdoshme tërheqjen e letrës së ish-kryeministres serbe Ana Bërnabiq, e cila është deponuar në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), si dhe dorëzimin e Millan Radoiçiqit, të cilin e quajti “kryeterrorist”, për të cilin Prokuroria e Kosovës ka ngritur një aktakuzë prej 160 faqesh.

Kurti po ashtu ritheksoi se nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike dhe i Aneksit të Zbatimit do të ofronte garanci juridike dhe mirëbesim për avancimin e procesit. Sipas tij, vetëm zbatimi i plotë i marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit mund të sigurojë rezultate të qëndrueshme dhe të prekshme në dialogun Kosovë–Serbi.

Lajme të ngjashme