Kurti në Mynih: Ndjek fjalimin e sekretarit amerikan, deputetëve gjermanë u flet për hekurudha e diga - NACIONALE

Kurti në Mynih: Ndjek fjalimin e sekretarit amerikan, deputetëve gjermanë u flet për hekurudha e diga

2 javë më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po qëndron në Mynih në Konferencën e Sigurisë. Derisa nuk pritet të jetë folës në ndonjë diskutim, ai atje është parë duke ndjekur fjalimin e sekretarit të Shtetit, Marko Rubio, ndërsa ka pasur edhe disa takime.

Kurti ka udhëtuar të enjten drejt Gjermanisë, atje ku po mbahet Konferenca e Sigurisë.

Mëngjesin e së shtunës, ai është parë duke ndjekur fjalimin e sekretarit amerikan, Marko Rubio.

Në Gjermani, Kurti u takua me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq. Ky i fundit, tha se është diskutuar edhe çështja e statusit të pakicës kroate në Janjevë.

“Urime Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për rizgjedhjen e tij! Ne vazhdojmë të forcojmë marrëdhëniet dypalëshe Kroaci-Kosovë dhe të mbështesim rrugën europiane të Kosovës. Gjatë Konferencës së Mynihut diskutuam situatën në rajon, sfidat e sigurisë dhe statusin e pakicës kroate në Janjevë” – ka shkruar ai.

Më pas, zyra e tij njoftoi për një takim me Administratorin e Programit UNDP, Aleaxander De Croo.

“Kryeministri theksoi progresin demokratik dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës përgjatë këtyre 5 viteve, të dëshmuar edhe përmes renditjeve pozitive në indekse ndërkombëtare.

Shprehu mirënjohjen ndaj UNDP për përkrahjen përmes projekteve të ndryshme, mbështetjen për zhvillim të qëndrueshëm dhe bashkëpunimin e frytshëm. Përgjatë bisedës u diskutuan edhe mundësitë për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit” – u tha në njoftim.

Kurti takoi edhe disa deputetë gjermanë, të cilëve u foli për diga, hekurudha e stadiume, derisa i ftoi ata për më shumë investime gjermane në Kosovë.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vijoi takimet në Konferencën e Sigurisë në Mynih me deputetë nga Bundestagu gjerman, Jurgen Hardt, Adis Ahmetovic, Carl-Philipp Sassenrath dhe Deborah Düring.

Thellimi i bashkëpunimit bilateral, ishte ndër temat e diskutimit. Kryeministri ftoi për më shumë investime gjermane në Kosovë, gjersa ky mandat qeverisës do të jetë mes tjerash edhe i hekurudhave, ndërtimit të digave për ujë të pijes, stadiumeve, në kuadër të organizimit të Lojërave Mesdhetare.

Kryeministri theksoi edhe rëndësinë e avancimit të Kosovës drejt integrimit evropian, duke filluar nga marrja e statusit të vendit kandidat” – thuhet në njoftim.

Lajme të ngjashme