Kurti në Gllogjan: Familja Haradinaj ia di mirë vlerën lirisë dhe ushtrisë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në një Akademi Përkujtimore me rastin e manifestimit të Epopesë së Dukagjinit, në Gllogjan të Deçanit.
Në këtë Akademi Përkujtimore, Kurti ka thënë se pas Jasharajve në Prekaz, në mars kishte ardhur qëndresa tjetër e fuqishme e familjes Haradinaj.
“Në fillim pranverën e vitit 1998 pas rezistencës së pashembullt të Jasharajve në Prekaz në datat 5, 6 dhe 7 mars vjen qëndresa e fuqishme e familjes Haradinaj dhe Mehmetaj në Gllogjan më 24 mars. Të dyja këto e kishin një armik – Serbinë, kishin një qëllim – lirinë.” – ka thënë Kurti në fillimin e fjalimit të tij.
Beteja e ashpër e 24 marsit, sipas kryeministrit, dëshmoi guximin dhe vendosmërinë e familjes Haradinaj dhe të popullit tonë në rrugën e nisur drejt çlirimit.
Ai gjithashtu ka thënë se familja Haradinaj ia din mirë vlerën lirisë dhe ushtrisë.
“Familja Haradinaj, ia di mirë vlerën lirisë dhe ushtrisë. Është familje e dëshmorëve të kombit me gjeneralë nga lufta. Ushtria është pjesë e pandashme e kësaj familje. Sot në ushtrinë tonë e kemi Luanin, Toger Luan Haradinaj, i cili me zell e përkushtim i shërben atdheut në uniformën e FSK-së.”
“Nuk gjunjëzohet kulla, nuk mposhtet UÇK-ja, nuk nënshtrohet Kosova. Ky ishte mesazhi që Serbia fashiste mori atë ditë nga kulla e bacës Hilmi.” – ka thënë ai.
Ai gjithashtu ka thënë se fokusi kryesor si qeveri ka qenë dhe është investimi në ushtri.
“Fokusi ynë kryesor si qeveri ka qenë dhe është investimi në ushtri, në mbrojtjen fisnike të vendit tonë. Duke kujtuar UÇK-në, duke zhvilluar FSK-në, mbrojmë Republikën, përparojmë kombin, i kontribuojmë Evropës.” – ka thënë Kurti ndër të tjera në Gllogjan.
