Kurti, ndërkombëtarëve: Kërkoni llogari nga Serbia, privoi nga zhvillimi komunat veriore
Kryeministri Albin Kurti ka publikuar disa statistika të komunave me shumicë serbe në Kosovë, lidhur me buxhetin komunal, të cilat janë marrë nga Departamenti i Buxhetit në ministrinë e Financave nga 14 vitet e fundit.
Kurti shkruan se dhjetë komuna me shumicë serbe në Kosovë kanë marrë mesatarisht 62% më shumë buxhet (në tërësi) për kokë banori, si dhe 89% më shumë në shpenzime kapitale për kokë banori se 28 komunat e tjera, 27 prej të cilave janë me shumicë shqiptare.
Përmes një postimi në Twitter, Kurti thotë se gjashtë komunat relativisht të integruara me shumicë serbe në jug kanë performuar vazhdimisht më mirë se katër në veri.
“Politikanët serbë dhe udhëheqësit komunalë në 6 komunat jugore ishin të gatshëm dhe në gjendje të planifikonin, siguronin dhe zbatonin më shumë infrastrukturë arsimore, shëndetësore dhe transporti për qytetarët e tyre sesa 4 komunat në veri”, shkroi Kurti në rrjetin social, Twitter.
Tutje, ai shkruan se komuniteti ndërkombëtar duhet të kërkojë llogari nga Qeveria e Serbisë për privimin nga zhvillimi të katër komunave veriore.
“Komuniteti ndërkombëtar duhet të kërkojë llogari nga Qeveria e Serbisë për privimin e këtyre 4 komunave veriore nga zhvillimi i duhur. Detyrimi i saj ndaj qytetarëve vendas nëpërmjet një grushti kriminelësh, të udhëhequr nga paratë, narkotikët dhe trafikantët e armëve në listën e zezë të Thesarit të SHBA-së, duhet të dënohet publikisht”, ka shkruar Kurti.
Ten Serb-majority municipalities in 🇽🇰 have received on average 62% more budget (as a whole) per capita, as well as 89% more in capital expenditures per capita than the other 28 municipalities, 27 of which are Albanian-majority.
— Albin Kurti (@albinkurti) February 7, 2023