Kurti mundohet të arsyetojë zbythjen nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak: Konteksti i sotëm është ndryshe prej atij të para 7 vitesh
Kryeministri në detyrë Albin Kurti sot është munduar të arsyetohet për mospërmbueshjen e një pretimi elektoral të moçëm.
Ndonëse në fushatat elektorale nga viti 2019 dhe në Kuvend e kishte prezantuar me pompozitet shërbimin e detyrueshëm ushtarak, me ardhjen në pushtet ai e harroi këtë zotim.
Duke u munduar të arsyeton zbythjen nga ky premtim i madh, ai sot në një konferencë për media tha se konteksti kur e kishte premtuar një gjë të tillë ishte i ndryshëm nga ai që ekziston sot.
“Sa i përket shërbimit të detyrueshëm ushtarak kjo është një temë e gjatë, por mos harroni çfarë kemi bërë dhe kjo nuk do të thotë se nuk do ta bëjmë një ditë. Por, kjo do të thotë se tashmë për tash kemi vlerësuar edhe me ekspert, se në situatën në të cilën ndodhemi është shumë më e menaxhuar të kemi mbrojtje gjithëpërfshirëse, apo mbrojtjen totale. Një model që i ngjan atij të Finlandës dhe të vendeve baltike ku t`i nuk e bën ushtrinë një grumbull të madh njerëzit që mandej duhet ta strukturash e ta pajisësh, por në vend të kësaj përcakton funksione, detyra konkrete dhe vende të caktuar për qytetarët e republikës në rast rreziqeve të ndryshme nga fatkeqësisht natyrore deri tek lufta e armatosur”, ka thënë Kurti, duke vazhduar arsyetimin e tij.
“Pra, kemi vlerësuar se në fazën në të cilën ndodhemi, e që gjithësi nuk është vitit 2019, është shumë me mençur që ta kemi mbrojtjen gjithëpërfshirëse siç e ka Finlanda dhe vendet baltike. Në anën tjetër, kjo komlementohet edhe ne dy aspekte tjera. Një model për shkollat e mesme që quhet edukimi për siguri i frymëzuar nga shembulli i Polonisë, e që mundëson që të rinjtë të mësojnë sa më shumë dhe reagimet që duhet t`i kenë në rast së rreziqeve që i përmenda më herët”, është shprehur Kurti.
Sipas tij, konteksti i sotëm është shumë ndryshe prej atij të para 7 vitesh..
“Kontekstin në të cilën jemi sot është shumë ndryshe prej atij të para 7 vitesh dhe krejt në fund do ta kemi edhe rezervën vullnetare. Rezervën vullnetare, e cila mundëson që qytetarët që do të bëhen rezirvista të FSK-së t`i kenë pajisjet nga çizmet deri te arma e tyre në një adresë të caktuar në FSK. Unë besoj se kjo çfarë po bëjmë është shumë më mirë se shërbimi i detyrueshëm ushtarak”, ka thënë Kurti.
Çka kishte premtuar Kurti?
Kryeministri Albin Kurti si opozitar vazhdimisht ka qenë ithtar i shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Ani pse për një gjë të tillë ai ishte zotuar shpesh, ai kurrë nuk kishte dhënë detaje për këtë proces.
Një zotim të tillë Kurti e kishte bërë edhe pak para se të merrte për herë të parë mandatin e kryeministrit.
Derisa prezantonte programin e qeverisë në seancës e 3 shkurtit të vitit 2020, para deputetëve ai ishte zotuar se ky proces do të bëhet sipas standardeve të NATO-s.
“Me qeverisjen tonë shërbimi ushtarak bëhet i detyrueshëm në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira të vendeve të NATO-së. Do t’i fillojmë përgatitjet për shërbimin obligativ ushtarak, ky shërbim do të jetë në kohëzgjatje tre mujore i cili do t’i ndihmoj FSK-së t’i përmbushë detyrat dhe rolin e saj shtesë në fushën e mbrojtjes”, kishte thënë Kurti, në seancën 3 shkurt të vitit 2020.
Premtimin e njëjtë, ai e kishte përsëritur edhe në fushën e zgjedhjeve të 14 shkurtit të vitit 2021.
Në emisionin “DebatPernime”, Kurti kishte thënë se shërbimi ushtarak i detyrueshëm do të jetë 6 mujor, 3 muaj verës dhe 3 muaj dimrit.
“Do ta bëjmë ushtrinë 6 muaj, 3 muaj verës dhe 3 muaj dimrit. Ne do ta bëjmë shërbimin ushtarak të detyrueshëm vetëm nëse do të pajtohen (të rinjtë) përndryshe do të kenë shërbim civil. Kemi kohë në 2021 ta planifikojmë buxhetin për vitin tjetër, por do ta rishikojmë buxhetin aktual menjëherë dhe do ta sjellim në Kuvend në legjislaturën e ardhshme”, ishte shprehur Kurti.