Kurti me një “Po” zori për Osmanin, zbardhet edhe më tej hendeku mes tyre në raport me ShBA-në - NACIONALE

Kurti me një “Po” zori për Osmanin, zbardhet edhe më tej hendeku mes tyre në raport me ShBA-në

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Një “Po.” zori dhe të vetme e shqiptoi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pyetur nga Radio Evropa e Lirë se a është “në të njëjtën linë” me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, për çështjet më aktuale e të nxehta në vend, në dritën e saj që ditë e më shumë po shpërfaqet publikisht se përgjigja është “Jo.”

Se Vjosa Osmani ka bërë kapërcim jashtë orbitës jo-amerikane të Kurtit, kohët e fundit është dëshmuar sikurse dy-plus-dy që bëjnë katër; kur edhe vetë Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, e dha për fakt të kryer se është Osmani – si emër i përvetshëm – qëndron si “garantuesja primare dhe trashëgimtarja” e parternitetit dhe marrëdhënies Kosovë-ShBA.

Për këtë pohim të Escobar-it u pyet Kurti, por më kot – për t’u evituar si rast; por jo pa përgjigje; e madje në kontekst, lexueshëm edhe e drejtuar nga figura e Osmanit.

U ndal në zbërthim morfologjik të fjalës marrëdhëni, si marrë-dhënie: marrje dhe dhënie; thuase prishja e marrëdhënieve Kosovë-ShBA kërkon shpjegim semantik.

Më besoni që nga pikëpamja ime, ne kemi marrëdhënie shumë të mira dhe këto marrëdhënie janë të dykahshme. Ndoshta në të kaluarën kanë qenë marrëdhënie njëkahore, por sot marrëdhëniet janë dykahore, që do të thotë se ka edhe dhënie, edhe marrje, sepse të tilla janë marrëdhëniet ndërkombëtare”, tha Kurti.

Osmani kishte qenë vetë ajo që kishte thyer një heshtje të madhe rreth asaj se çfarë po ngjante në prapaskena prej fundit të majit të vitit të kaluar; kur kishte shpjeguar në RTV21 se kishte “parandaluar sanksione shumë më të rrepta ndaj individëve dhe shtetit” nga ShBA-ja; ndërsa për referentë ishte e qartë se e kishte Kurtin dhe ministrin e tij, Xhelal Sveçlën.

Kurti tha sot në REL – gjatë kohës sa zëvendësi i tij diskuton për dinarin në Bruksel në tryeze me homologun e tij serb – se propozimet që janë në kundërshtim me Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosaovës nuk do të pranohen.

Kjo krejt ndryshe nga njoftimi i djeshëm i Osmanit – e cila ndonëse nuk mbartë pushtet ekzekutiv – tha se “kemi pajtim të pjesshëm” me propozimin amerkan për dinarin – që Escobar thotë se Kurti e refuzoi – dhe se “shumë shpejtë” do të ketë edhe pajtim të plotë.

Por, ndryshe nga Osmani – Kurti tha se “nuk mund të bëj zëdhënësin e ambasadave” duke mos u lëshuar në komentime të propozimeve të ndërkombëtarave, çka në fakt bëri dje Vjosa Osmani.

Ata japin vazhdimisht propozime. Unë nuk është e thënë që propozimet e tyre t’i shpalos publikisht duke bërë zëdhënësin e ambasadave. Nuk e bëj dot këtë punë. Unë po tregoj që ne i kemi ofruar një letër Bankës Popullore të Serbisë nga ana e guvernatorit, që në këtë rast na përfaqëson të gjithëve si qytetarë të Republikës, juve si gazetarë, mua si kryeministër, dhe ne presim përgjigje nga ana tjetër”, tha ai.

Osmani, e cila sipas Kurtit është “Po (në të njëjtën linjë)” e quajti “urgjente” zgjidhjen e çështjes së pagesave për komunitetin serb të Kosovës nga Serbia, dha tjetër trajektorwe të zhvillimit të ngjarjeve.

Me ndihmën e tyre (ShBA-së) kemi arritur që tash e tutje ato dërgesa, ajo ndihmë financiare që vjen nga Serbia, të arrijë në euro dhe jo në dinarë, dhe kjo besoj që e zgjidh një pjesë të madhe të problemit me të cilin jemi ballafaquar në të kaluarën”.

Është urgjente që kjo çështje të zgjidhet, sepse jo vetëm që u ndihmon qytetarëve që t’i tejkalojnë disa prej sfidave me të cilat ballafaqohen, por në të njëjtën kohë, të jemi shumë të sinqertë, Kosova ka probleme më të mëdha, ndër të tjera probleme të sigurisë”, tha Osmani.

Ideale, sipas Osmanit, do të ishte që kjo çështje të zgjidhej sot në bisedimet në nivel kryenegociatorësh në Bruksel të thirrur nga Përfaqësusesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak.

Ky takim është ende në zhvillim e sipër, ku janë bërë më shumë se tri orë që nga nisja e takimit trilateral në Bruksel.

Lajme të ngjashme