Kurti me ngjyra të gjuhës leniniste: Opozita “front i errësirës”, Vetëvendosja “drita”
“Front i errësirës.”
Albin Kurti i Vetëvendosjes dje para Këshillit të Përgjithshëm të partisë së vet ku u nominua si kandidat për kryeministër, i ktheu oktavat e vjetra të ashpra zgjedhore.
Në tone religjioze, e deri edhe argumentativisht bollshevike, ai e ndau partinë dhe qeverisjen e vet në “dritë” dhe anën tjetër “errësirë.”
Opozitën e përshkroi si “front të errësirës,” ngjyrime këto të njohura nga studiuesit e shkencave politike si ndarje që bënte në rend të parë revolucionari rus Vladimir Lennin, literaturë kjo jo e panjohur për Vetëvendosjen, në formimin dhe shkollën e saj politike.
"Përballë këtij fronti të errësirës, ne, me dritën e Naimit, apo edhe me dritën e Sokratit, i themi popullit: Nuk ka kthim prapa, ka vetëm ecje përpara."


Kurti u lëshua në gjuhën e vjetër për “hajni dhe korrupsion” të qeverive para 2019-ës dhe ia faturoi “bllokadën” për shkuarje në zgjedhje të reja.
Ai u shpreh se synon mbi 60% të votës popullore si leje të marrjes për vete edhe institucionin e presidentit që kërkon 2/3 e të gjithë deputetëve në parlamentin e Kosovës.
"Ata angazhohen haptazi me çdo mjet kundër stabilitetit, sigurisë e paqes në Kosovë, kundër Qeverisë së Kosovës, kundër votuesit të Kosovës," tha Albin Kurti.
Kurti opozitën e vendosi edhe në bashkërendim me Listën Serbe, partinë e vetme që mbështet Beogradi zyrtar si përfaqësuese të serbëve të Kosovës dhe që mohojnë shtetin e Kosovës.
Përtej përshkrimit bashkëpunim me Listën Serbe, Kurti akuzoi opozitën se shtetin e sheh veçse si “burim privat pasurimi,” ndryshe nga Vetëvendosja e “e ndershme.”
"Vetëm e vetëm pse nuk pranuam pazaret e oligarkëve, ndarjet e terminaleve doganore dhe postet e ambasadorëve, ata u bashkuan të gjithë kundër nesh – PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe – jo për ta ndërtuar shtetin, por për ta rikthyer atë në burim privat pasurimi."
"Frika e tyre nga fitorja jonë është më e madhe se dashuria e tyre për vendin. Me të madhe e kanë frikën e urrejtjen ndaj nesh, se sa atdhedashurinë për Republikën e Kosovës."
Kurti pretendoi pastërti morale dhe kriminale në qeverisjen e vet duke thënë se tash me Vetëvendosjen në qeveri qe më shumë se 6 vite “nuk vidhet.”
"Ata që dikur vidhnin në gjithçka, nga asfalti e deri te shkollat, sot çuditen se si mund të bëhet punë pa vjedhur."
"opozita po e kërkon pushtetin duke bllokuar progresin. Kjo është sikur të kërkosh të bëhesh kapiten i anijes duke ia shpuar fundin asaj."
Për më tepër, pa konspiracion edhe në veprimte dhe qëndrimet e opozitës, duke thënë se ato “drejtohen nga prapaskenat” nga dikush “ndonjë strateg që rri në hije.”
"Është e kotë që përpiqen ta mbulojnë të vërtetën me sajesa, me sofizma, me narrativa false që i përsërisin nëpër mediat e tyre private," tha Albin Kurti.