Kurti mashtroi me vetëdije: Për pak ditë, dha informata kundërthënëse për planin evropian - NACIONALE

Kurti mashtroi me vetëdije: Për pak ditë, dha informata kundërthënëse për planin evropian

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Brenda pesë dite kryeministri Albin Kurti ka dhënë dy qëndrime kontradiktore për planin franko-gjerman. Javën e kaluar, ai ka thënë se propozimi është i negociushëm dhe nuk është në formatin 'merre ose leje'. Ndërsa, dje, pa ndryshuar asnjë rrethanë në proces ai ka thënë se propozimi është i formatit 'merre ose leje'. Kjo po konsiderohet si mashtrim me vetëdije i kryeministrit.

Kryeministri Albin Kurti tani ka filluar t`i ndryshon qëndrimet për dialogun me Serbinë nga seancë në seancë. Brenda pesë ditë ai ka dhënë dy qëndrime të ndryshme për planin franko gjerman. Në seancën parlamentare të javës së kaluar, ai ka thënë se plani franko-gjerman është vetëm një propozim, i cili do të negociohet në vazhdim të procesit. Madje, ai kishte vlerësuar se emisarët evropian nuk i kishin sjell një dokument të formatit 'merre ose lere'. Por, krejt ndryshe ka folur dje, në debatin parlamentarë për dialogun Kosovë-Serbi, të cilin e kishte thirrur opozita. Në këtë seancë, Kurti ka bërë me dije se propozimi është fare pranë formatit 'merre ose leje'.

Ndonëse, nuk ka ndodhur ndonjë zhvillim në dialog brenda këtyre pesë ditëve, ai ka thënë se tani propozimi është dokument gati i panegociushëm.

"Lehtësuesi i dialogut Lajçak, ofroi një version të dytë të Propozimit më 6 dhjetor 2022. Versioni i dytë i ka adresuar dy nga komentet tona, por nuk ka lëvizur mbrapa në asnjë nga parimet që i ngërthente dokumenti i parë. Megjithatë, dokumenti kryesor kësaj radhe shoqërohej edhe me një Plan Zbatimi që kishte referencë të qartë tek një statut që do ta hartonte Ekipi Menaxhues, obligim që rrjedh nga Marrëveshja e vitit 2013, e që është një tregues i një hapi drejt krijimit të një asociacioni të komunave me shumicë serbe. Me datë 20 janar 2023, emisarët që e shoqëruan lehtësusesin Lajçak, pra emisarët amerikan, gjerman, francez dhe italian i dhanë disa qëndrime në këtë takim të dytë dhe të fundit", ka thënë Kurti.

Tani, Kurti e pranon se dokumenti është i formatit merre ose lere.

"Ata ma bënë të qartë që propozimi kryesor këtë herë është fare pranë formatit 'merre-ose-leje'. Nuk do të lejohet praktikisht hapja apo negocimi i tij. Qëndrimi i tyre ishte që i tërë aparati diplomatik e politik i shteteve nga vinin emisarët është vënë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, dhe nuk mund të pritet një 'jo' nga Kosova sepse do të hynim në një rrugë të konfrontimit me ta", është shprehur Kurti.

Madje, sipas tij, refuzimi i këtij plani do të sillte edhe pasoja për Kosovën.

"Ata gjithashtu ma bënë të qartë që çfarëdo refuzimi i Propozimit do të shoqërohet me hapa kundërshtues e ndëshkues diplomatik për Kosovën, dhe do të krijojë dobësim serioz të mirëbesimit ndërmjet nesh dhe shteteve të tyre", ka thënë Kurti.

Qëndrimi i Kurtit më 9 shkurt në Kuvend

Krejt qëndrime tjera i pari i qeverisë kishte shprehur para pesë dite.

Duke iu përgjigjur interesimit të deputetëve të opozitës, kryeministri Kurti kishte treguar se propozimi franko-gjerman është vetëm një dokument fillestar, i cili mund të ndryshohet gjatë bisedimeve në mes palave.

Gjatë adresimit të tij, Kurti disa herë ka përsëritur se plani është vetëm dokument fillestar.

"Kanë paraqitu një propozim e cila njëmend nuk është finale, është sërish një kornizë, është serish një marrëveshje bazike, por jo përfundimtare. Dhe kjo marrëveshje, e cila është e vërtetë se ka paragrafë e fjali të tëra që merren nga modeli i dy Gjermanive, është sërish veçse një marrëveshje bazë, jo marrëveshje finale, ligjërisht e obligueshme, ndërkombëtarisht obliguese çfarë na nevojitet neve”, kishte thënë kryeministri.

Madje, ai ishte shprehur i bindur se emisarët evropian nuk mund t`i sjellin Kosovës një dokument të gatshme për marrëveshje finale.

Sipas tij, dokumenti nuk ishte i formatit merre ose lere.

Duhet kuptuar se nuk ka pasur mundësi që të vijnë nga Brukseli, Berlini e Parisi e të na sjellin marrëveshjen finale. Kjo nuk është e mundshme, sepse kjo do shumë procese negociator të thellë, të gjerë e të gjatë. Andaj emisarët evropian, emisarët franko-gjerman nuk na kanë sjell një dokument në stilin merre ose lere. Andaj ata nuk na kanë mund ta sjellin propozim për marrëveshje finale. Ata kanë sjell propozim për një marrëveshje bazë, ose le te themi për një kornizë ”, ka thënë Kurti.

Në këtë adresim, ai vazhdimisht e përsëriste se Kosova është në fillim të këtij procesit negociator. "Duhet ta kuptoni, nuk janë as dy faqe tamam, është një tekst shumë i përgjithshëm dhe i shkurtër. Kur thuhet trashëgimia e së kaluarës do shumë punë për ta definuar se si do të adresohet ajo. Prandaj, në këtë kuptim njëmend jemi në fillim të fillimit. Tjetra, në preambulë ka reference për pakicat kombëtare, mirëpo çka do të bëhet me këtë togfjalësh sërish varet nga zhvillimet politike dhe nga procesi i mëtutjeshëm negociator", kishte theksuar Kurti.

Mashtrimi i Kurtit

Ky ndryshim i qëndrimeve nuk i ka ikur as analistit Visar Ymeri, i cili ka qenë dikur edhe bashkëpartiak me kryeministrin Albin Kurti.

Ymeri beson se shefi i qeverisë po mashtron me vetëdije.

Ai ka thënë se Kurti edhe javën e kaluar e ka ditur se plani nuk është i formatit merre ose lere, por qëllimshëm nuk ka dashur të tregoi.

Për mu, ky nuk është ndryshim i qëndrimeve. Kurti i ka ndryshu (veçse) qëndrimet. Kjo që e dëgjuam sot, krahasuar me atë që ka thënë mbrëmë në Euroneës, krahasuar me javën e kaluar që ka thënë, ky nuk është ndryshim i qëndrimeve. Sepse aty nuk ka pasë qëndrim Kurti. Ky është mashtrim”, ka thënë Ymeri.

Sipas tij, Kurti prej janarit e ka ditur formatin e dokumentit dhe nuk ka treguar.

Para katër-pesë dite, ky ka thënë që kjo do të negociohet dhe ka folë nga pozicioni i personit i cili e di sepse ka qenë në negociata. Sot na tha, pa u taku as me Lajçakun as me kërkon, na tha që kur kanë ardhë në janar e kanë pru planin edhe kanë thënë që ma qiky nuk ndryshohet. Domethënë Albin Kurti si kryeministër i Kosovës prej janarit e ka ditë që ky plan është merre ose lëre mirëpo deri mbrëmë neve na thoshte që megjithatë ky është i negociueshëm.”, është shprehur Ymeri.

Ai është shprehur i bindur se kryeministri Kurti e ka negociuar këtë plan.

Kurti është në siklet. Kritika e vetme ka qenë që Abdixhiku e ka pyet a është njohja në qendër në planin franko-gjerman, nëse jo si erdhëm deri këtu? Sot Kurti e pranoi një gjë interesant që plani franko-gjerman është një rrjedhojë e një negocimi që e ka bërë Kurti, nuk është plani franko-gjerman që e kanë sjellë menjëherë pa folur me palët dhe kanë thënë se duhet ta pranoni gjithqysh. Plani franko-gjerman është produkt i negocimit të Kurtit”, ka deklaruar Ymeri.

Lajme të ngjashme