Kurti iu kërkon serbëve të mos i braktisin institucionet, Krasniqi e Haradinaj i thonë Kurtit të reflektojë
Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, është deklaruar për zhvillimet në veri të vendit, pas dorëheqjes së Listës Serbe nga të gjitha institucionet. Në një postim në gjuhën shqipe dhe serbe, Kurti ka shkruar relativisht gjatë për zhvillimet e fundit, duke u drejtuar serbëve kosovarë si kryeministër i Kosovës.
Në postimin e tij, z.Kurti ka shkruar se përfaqësuesit e Listës Serbe i kanë thënë atij se do të organizojnë një rezistencë të ashpër kundër gjobave për targat ilegale.
Në reagimin e shkruar edhe në serbisht, z.Kurti tha se presidenti i Serbisë e ka gënjyer e zhgënjyer amerikanët dhe evropianët.
“Është e qartë se për çfarë bëhet fjalë: presidenti i Serbisë ka gënjyer dhe ka zhgënjyer amerikanët dhe evropianët; ai shumë shpesh takon dhe koordinohet me ambasadorin rus në Beograd. Serbia duke mos qenë vend demokratik po bëhet vegël e Kremlinit. Po ashtu, duket që ish zëdhënësi i partisë së Milosheviqit, tash ministër i jashtëm i Serbisë, është më i pushtetshëm sesa ish ministri i informatave të Milosheviqit, tash presidenti i Serbisë. Kjo është betejë personale e tyre për pushtet, as për qytetarët dhe as për shtet.”, shkroi Kurti, ndër të tjera.
Tutje, Kurti i ka ftuar të gjithë qytetarët serbë të ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë, duke u kërkuar të mos i braktisin institucionet.
“I ftoj të gjithë qytetarët serbë në Kosovë, që ta ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë. Unë nuk jam kryeministër kundër juve, por Beogradi është kundër meje. Unë jam kryeministër që do t’ju shërbej duke respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës. Prioritet imi janë luftimi i korrupsionit, pra drejtësia, dhe zhvillimi ekonomik, pra punësimi; barazi e mirëqenie për të gjithë, pa dallim etnie, feje apo prejardhje. Mos i bojkotoni ose braktisni institucionet e Kosovës. Ato na shërbejnë të gjithë neve, çdonjërit prej jush. Mos bini pre e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike. Le t’i përmbahemi të gjithë bashkë vlerave demokratike dhe evropiane të sundimit të ligjit, të të drejtave dhe lirive të njeriut e të pakicave, pluralizmit politik.”, shkroi tutje z.Kurti.
Për këtë çështje ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniiq, duke deklaruar se është i shqetësuar për zhvillimet në veri. Tutje, i pari i PDK-së shkroi se mundësia e eskalimit të situatës është evident.
"Prandaj, kërkoj nga kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, t'i njoftuar për seriozitetin e situatës dhe për hapat që do të ndermarrin institucionet e vendit për të garantuar ruajtjen e rendit publik, jetës së qytetarëve dhe sovranitetit të vendit. Situata është duke ndryshuar nga ora në orë dhe rreziku i përshkallëzimit është evident. Kjo duhet të shmanget dhe qëllimi duhet të jetë ruajtja e paqes dhe sigurisë.", shkroi z.Krasniqi.
Ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i kërkoi Kurtit të reflektojë rreth situatës në veri.
"Sa i përket Kurtit, janë momentet e fundit që të reflektojë dhe të ndërprejë shkatërrimin e vendit, përndryshe do të jemi të detyruar ta ndërprejmë ne, me të gjitha mjetet demokratike në dispozicion.", shkroi z.Haradinaj.
Ndryshe, sot gjatë ditës Lista Serbe, pas një takimi të mbajtur në Zveçan, ka njoftuar se ka vendosur të largohet nga të gjitha institucionet e vendit. Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, tha se e gjitha vjen pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për çështjen e targave.
"Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri", theksoi kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq pas takimit.
Në konferencën për media, Rakiq njoftoi se vendimi për largimin nga institucionet e Kosovës do të jetë në fuqi deri atëherë kur sipas tij Prishtina të “fillojë të respektojë të marrëveshjet e arritura në Bruksel”.
“Kjo do të thotë, konkretisht, derisa të tërheqin vendimet e njëanshme dhe të kundërligjshme për riregjistrim, derisa të formojnë Asociacionin e komunave serbe, në përputhje me marrëveshjen e parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura me këtë çështje në dialog”, theksoi Rakiq, transmeton REL.
Takimi i thirrur nga Lista Serbi vjen pas vendimit të institucioneve të Kosovës për të suspenduar Nenad Gjuriqin, drejtorin e Policisë për rajonin e veriut, pasi i njëjti refuzoi të zbatojë vendimin e Qeverisë Kurti për targat.


