Policia e konfirmon: Njësitet speciale të Policisë s'janë nisur në veri
Zhvillime të reja në veriun e Kosovës. Dorëheqja e Listës Serbe nga të gjitha institucionet e Kosovës, përfshirë Qeverinë dhe Kuvendin, ka shkaktuar një valë komentesh e reagimesh nga politikanë, analistë e qytetarë.
Portali Koha.net ka postuar një video, duke shkruar se njësitet speciale të Policisë së Kosovës janë nisur drejt veriut të Kosovës. Nacionale ka provuar të marrë një prononcim nga organet zyrtare.
Por, një sqarim zyrtar (në ora 15:51) ka ardhur nga Policia e Kosovës, e cila ka thënë se nuk ka njësi speciale në veri.
"Policia e Kosovës, sipas nevojës dhe vlerësimeve operacionale do të angazhojë personelin e saj, me qëllim të kryerjes së detyrave dhe autorizimeve ligjore, në funksion të garantimit të sigurisë së përgjithshme në vend si dhe ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime.
Njësitet policore të rendit publik dhe ato kufitare sipas detyrës zyrtare janë duke qarkulluar/lëvizur varësisht nga angazhimet dhe detyrat policore, mirëpo nuk ka ndonjë përfshirje apo dërgim të njësiteve speciale në veri të Mitrovicës, ashtu siç është publikuar në media.", thuhet në komunikatën e Policisë për media.
Në të gjitha këto zhvillime, një eksponent i pushtetit ka zgjedhur të shkruajë një status në Twitter. Ministri i Rinisë, Kulturës dhe Sportit, Hajrulla Çeku shkroi një fjali jashtëzakonisht të shkurtër.
“Rrnoftë Republika e Kosovës”, shënoi shkurtimisht z.Çeku, që nuk dihet se ku po qëndron aktualisht ai.
Rrnoftë Republika e Kosovës 🇽🇰
— Hajrulla Çeku (@HCeku) November 5, 2022
Ndërsa, pas dorëheqjes së Listës Serbe, Zveçani, komunë në veriun e Kosovës, u mbush me shumë flamujë serbë, të cilat u vendosën në rrugë, dyqane e ndërtesa të tjera.
Vala e reagimeve
Deputetja e Listës Guxo, që është pjesë e koalicionit qeverisës, zonja Jeta Statovci, në një prononcim për Nacionalen, tha se e gjithë kjo çfarë po ndodh në veri është një skenar i Serbisë.
“Skenar tipik i Serbisë për të vjelë përfitime politike në kurriz të paqes dhe stabilitetit rajonal si dhe për të provokuar Qeverinë e Kosovës në afërsi të proceseve në rëndësi.”, deklaroi zonja Statovci për Nacionalen.
Ndërsa, zonja Ganimet Musliu, deputete e PDK-së që udhëheq me Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së, deklaroi se të gjithë policët që hoqën uniformën e policisë, nuk duhet të kthehen më në këtë institucion.
“Siguria e Kosovës po sfidohet rend në Veri të Kosovës. Uniforma e policit të shtetit nuk duhet keqpërdorur as si kompromis, as si mjet presioni politik dhe as si mjet prepotence e force. Policia e Kosovës duhet të lirohet nga marionetat por edhe nga kaubojët. E zhveshën me lehtësi, kthimin duhet ta kenë të pamundur”, ka shkruar ajo në Facebook.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës tregon se ata nuk janë të interesuar për stabilitet.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, Lekaj ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk e ka menaxhuar si duhet situatën në veri të vendit.
“Kjo është një dëshmi se ata nuk janë të interesuar që të këtë stabilitet në Kosovë. Kjo është edhe një argument që jemi larg, shumë larg marrëveshjes. Qeveria e Kosovës është dashur që ta menaxhoj shumë më mirë situatën në veri, në mënyrë që të mos vije ky moment dhe të kthehemi mbrapa për 20 vite. Sepse me mund janë kthyer në institucione të Kosovës dhe i kanë pranuar institucionet lokale dhe qendrore”, ka thënë Lekaj.
Në krejt këtë hallakam, z.Bekim Kabashi, analist, gjeti kohë të ironizojë pak me situatën në veri, më konkretisht me zhveshjen e uniformave nga ana e eprorëve policorë.
“Mirë po i kthejkan, t’palume. Hajt se Albin digitroni i bon zgjidhje edhe ksaj situate”, shkroi Kabashi.



