Kurti i lartëson raportet me ShBA-të, Hovenier e thotë të kundërtën: Kë po mundohet ta mashtrojë kryeministri?
Kryeministri Albin Kurti vazhdimisht po i lartëson raportet Kosovës me ShBA-të, ndonëse zyrtarët amerikanë po e thonë të kundërtën. Pavarësisht se diplomatët amerikanë publikisht po flasin për dëmtim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve, kryeministri Kurti pretendon se këto raporte janë në nivel të shkëlqyeshëm dhe se po thellohen çdo ditë.
Të njëjtën gjë e ka bërë edhe sot, pas takimit me shefin e CIA-s, William Burns. Në profilin e tij në “Facebook”, derisa ka njoftuar për takimin që ka pasur me zyrtarin e lart amerikan, ai ka shkruar se Republika e Kosovës dhe ShBA-të kanë raport të fuqishme.
“Marrëdhëniet e fuqishme bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duam t'i forcojmë e zgjerojmë edhe më tej. Vizita e Drejtorit të CIA-s, diplomatit briliant William Burns, ishte një mundësi fort e mirë për të biseduar një gamë të gjerë temash dhe për të thelluar e avancuar bashkëpunimin tonë strategjik, në shërbim të paqes demokratike dhe sigurisë euro-atlantike në rajon e më gjerë”, ka shkruar Kurti.
Vlerësime të njëjta kishte thënë edhe para disa dite sa qëndronte në Çikago, në Konventën Kombëtare të Partisë Demokratike.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Kurti kishte mohuar se ka dëmtim të marrëdhënieve në mes të dy shteteve.
“Nuk besoj që ka kurrëfarë dëmtimi të marrëdhënieve. Është e vërtetë që unë nuk ngjasoj me kryeministrat që kanë qenë në Republikën e Kosovës para meje, por unë besoj që marrëdhëniet që po ndërtoj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë më të fuqishme se kurrë. Ne kemi bërë kontratën më të madhe që është bërë ndonjëherë me Koorporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit, 236 milionë dollarë, për bateritë për energjinë e ripërtëritshme, dhe përveç kësaj jemi duke blerë sistemet antitank Javelin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse dëshirojmë që të forcojmë ushtrinë tonë. Forca e Sigurisë së Kosovës ka bashkë-zbarkuar me ushtrinë amerikane në Kuvajt dhe në çdo aspekt, në tregti, në energji, në ekonomi, dhe pastaj bashkëpunimi jonë me USAID-in e solli vlerësimin e Kosovës me 2B minus, që është vlerësimi i parë nga Fitch Ratings, i një organizate ndërkombëtare për ekonominë tonë, në arenën ndërkombëtare ekonomike”, kishte thënë Kurti, duke shtuar se qeveria e tij e ka thelluar bashkëpunimin me Amerikën.
“Bashkëpunimi me SHBA-të është zgjeruar dhe është thelluar, mospatimet sporadike, kurrë për vlera parime e qëllime, po nganjëherë, për strategji taktika dhe operacione, bëhen lajme të mëdha. Unë besoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shumë arsye që të jenë krenare me arritjet e Kosovës, më shumë se asnjëherë më parë, e për zhvillimin e ndërtimin e së cilës, kanë kontribuar si askusht tjetër”, kishte thënë Kurti.
Por, ndryshme mendon njeriu i ShBA-së në Kosovës.
Ambasadori amerikanë në Prishtinë, Jeff Hovenier, gjatë kësaj jave ka përsëritur se ka ndryshuar cilësia e raporteve në mes të dy vendeve.
Në një konferencë për media, ku e pranishme ishte edhe presidentja Vjosa Osmani, ai ka thënë se dëmtimin ka ndodhur për fajin e Qeverisë Kurti.
“Shumë prej jush keni parë raporte në media për dallimet e tashme ndërmjet ShBA-së dhe anëtarëve të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare me Qeverinë e Kosovës për disa veprime, të cilat janë të udhëhequra me qeverinë e kryeministrit Kurti. Siç kam thënë edhe javën e kaluar, po përballemi me disa sfida me Qeverinë e tanishme, të cilat kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit tonë. Është siç tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit më herët gjatë këtij muaji, Qeveria amerikane shpreson që Qeveria e Kosovës, po e citoj, “do t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me ShBA-në, BE-në, NATO-n dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë”, fundi i citat”, ka thënë Hovenier.
Kjo nuk është hera e parë që ambasadori amerikan e thotë një gjë të tillë. Të njëjtën gjë e kanë thënë edhe zyrtarët tjerë amerikanë.
Këto qëndrime kundërthënëse i ka komentuar edhe drejtori i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), Lulzim Peci.
Ai i ka dhënë të drejtë ShBA-së.
Duke e kritikuar njoftimin e Qeverisë për takimin Kurti – Berns, ku thuhet se shefi i CIA-s u njoftua për rritjen ekonomike, Peci ka thënë se kjo është një tallje e ekzekutivit me ShBA-të.
Ai ka bërë me dije se për raportet Kosovë – SHBA i beson vetëm Uashingtonit.
“Kush e kupton diplomacinë, e din fare mirë që deklaratat e tilla kanë për konsekuencë erozionin e besimit, të cilin në masë të madhe ka kohë që e kemi humbur në sytë e SHBA-ve. Një postim korrekt pas këtij takimi do të mund të ishte hap i mirë për rindërtimin e këtij besimi të humbur. Ndërsa a janë marrëdhëniet në mes Kosovës dhe SHBA-ve “të forta dhe të qëndrueshme” do të besoj vetëm atëherë kur këtë ta thotë Uashingtoni, dhe do të gëzohem shumë. Mirëpo, deri më tani nuk kemi dëgjuar diçka të tillë”, ka shkruar Peci.