Kurti i gëzohet diplomimit të ushtarëve të rinj të FSK-së: Janë të aftë e të gatshëm për ta mbrojtur Republikën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i kënaqur me diplomimin e 302 ushtarëve të rinj të FSK-së.
Ai ka bërë me dije se për këto dy vite Kosovës i janë shtuar 1852 ushtarë aktivë më shumë.
Sipas tij, ata janë të gatshëm për ta mbrojtur Republikën e Kosovës.
“Ushtrisë sonë iu shtuan edhe 302 ushtarë të rinj. Në kazermën "Skënderbeu" në Ferizaj, u betuan si ushtarë të Kosovës edhe 302 rekrutë të rinj, vajza e djem që me sukses kanë arritur ta përfundojnë trajnimin bazik. Ky është grupi i parë i rekrutëve nga gjithsej 612 ushtarë të rinj që do t'i bashkohen trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në kuadër të procesit të rekrutimit për këtë vit. Për këto dy vite e gjysmë, duke përfshirë rekrutimin e sivjetëm, ushtrisë sonë i janë shtuar 1852 ushtarë aktivë më shumë — të aftë e të gatshëm për ta mbrojtur Republikën tonë”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në “Facebook”.