Kurti herë ‘po’ e herë ‘jo’ për draft statutin për Asociacionin
Qëndrimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kundrejt draft statutit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe del herë ‘po’ e herë ‘jo’.
Së paku kështu e ka cilësuar Miroslav Lajçak, njeriu që prej 2 prillit të vitit 2020, ka ndjekur për së afërmi rrjedhat e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë ekskluzive me gazetarin e Nacionales Xhezair Dashi, Miroslav Lajçak ka evokuar hollësi interesante nga përvoja e tij me Kurtin.
“Për të qenë i sinqertë, qëndrimi i Kosovës për Draft-Statutin Evropian ka ndryshuar kaq shumë herë që nga fundi i vitit 2023, saqë ndonjëherë ka krijuar konfuzion”, ka thënë Lajçak i cili nga e nesërmja lë detyrën e ndërmjetësit të bisedimeve.
Në tetor 2023, sipas tij, Kurti kishte thënë se e pranon draft statutin evropian në versionin siç ishte. Kërkesa e vetme e tij ishte që drafti në fjalë bashkë me Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksin e Zbatimit të saj të përfshiheshin si ‘pako e marrëveshjes’ që duhej të nënshkruhej nga të dyja palët.
Por, nuk ishte e thënë që Kurtit t’i priste sëpata gjatë me një vend.
“Veç një muaj më vonë, ai pohoi se, megjithëse Draft-Statuti Evropian ishte shkruar ‘me kujdes ndaj germës së Kushtetutës’ dhe kishte respektuar funksionimin e Kosovës si shtet i pavarur, ai ende nuk e kishte pranuar zyrtarisht atë”, ka thënë Lajçak.
Kjo ambivalencë nuk do të përfundonte me kaq. Pas pak kohe, sipas diplomatit sllovak që e përfaqësoi BE-në, kryeministri i Kosovës kishte thënë se ‘e konsideronte draft-statutin evropian si një ‘non-paper’ ose thjesht një ‘propozim xhentëlmenësh’, se autorët e Draft-Statutit Evropian ishin të panjohur për të dhe se ai nuk mund ta përpunonte zyrtarisht një ‘non-paper’”.
Sipas ndërmjetësit evropian, teksti qe shpalosur para palëve në tetor të vitit 2023 edhe nën praninë e këshilltarëve kryesorë për politikën e jashtme të presidentit francez, kancelarit gjerman, kryeministrit italian si dhe të dërguarit të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor.
Lajçaku, në vijim të intervistes për Nacionalen, ka shpjeguar se draft statuti evropian, siç shihet edhe nga emri, ishte menduar të diskutohej e mundësisht të përshtatej.
“Asnjëherë nuk ishte menduar si propozim ‘merre ose lëre’”, ka shtuar ai.
Lajçak, i cili do të pasohet nga diplomati danez, Peter Sørensen, e ka quajtur si “fatkeqësi” faktin që vetëm pala serbe pranoi ta diskutonte këtë draft me ekspertët e saj në Bruksel, por jo edhe pala kosovare.
“Kosova nuk e pranoi ofertën e bërë në të njëjtën kohë. Kjo është për të ardhur keq pasi që teksti mund të përmirësohet vetëm me kontributin e palës kosovare”, ka thënë, midis të tjerash, Lajçak.