Kurti fillon takimet me partitë politike, opozita nuk ia heq “vijat e kuqe”: Si do të formohet qeveria e re? - NACIONALE

Kurti fillon takimet me partitë politike, opozita nuk ia heq “vijat e kuqe”: Si do të formohet qeveria e re?

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Caktimin e datës për seancën konstitutive të legjislaturës së nëntë, ka shtuar dinamiken e aktiviteteve të partive politike. Më aktivi po tregohen kandidati i VV-së për kryeministër, Albin Kurti, i cili dje ka filluar takimet me partitë politike për konsultim në lidhje me formimin e qeverisë së re.

Në ditën e parë, ai ka takuar shumicën e partive të komuniteteve jo serbe, kurse sot ka takuar kryetaren e Unionit Socialdemokrat (SDU), Duda Balje.

Ndonëse këto takime janë në cilësinë e kryetarëve të partive politike, Kurti ato i ka mbajtur në Zyrën e Kryeministrit.

Madje, për këto takime partiake është shfrytëzuar edhe departamenti për media i Zyrës së Kryeministrit.

Pas këtyre takimeve, Kurti është shprehur optimist se do të formojë qeverinë e re, edhe pse ende nuk dihet nëse i ka numra e nevojshëm.

Si partia fituese, pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve dhe fillimit të afatit kushtetues, kemi përgjegjësinë dhe obligimin e nisjes së konsultimeve politike për formimin e qeverisë së re. Gjatë ditës së sotme këto konsultime politike i nisëm me disa prej partive të minoriteteve në Kosovë, përkatësisht me kryetaren e Partisë së Re Demokratike (NDS), Emilija Rexhepi, kryetarin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq dhe kryetarin e partisë Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi”, ka shkruar Kurt në profilin e tij në “Facebook”, duke i falënderuar ata për bashkëpunimin në këtë mandat.

Bashkëpunimin e kemi patur të ngushtë dhe të frytshëm gjatë këtij mandati qeverisës, për çka i falënderova për punën, dedikimin dhe angazhimin e tyre. Partneritetin tonë do ta thellojmë e vijojmë tutje bashkarisht edhe në katër vjeçarin e ardhshëm, për më shumë punë të mira e të mbara, në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim”, ka shkruar ai.

Në anën tjetër, partitë opozita kanë rikonfirmuar qëndrimet e tyre se nuk bashkëpunojnë me VV-në për formimin e Qeverisë së re.

Partia Demokratike e Kosovës ka dje ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë, ku ka treguar edhe një herë vijat e kuqe që ka për partinë e Albin Kurtit.

Sipas njoftimit të PDK-së, kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, i ka informuar anëtarët e Kryesisë për komunikimet e fundit me partitë parlamentare, me përjashtim të partive në pushtet (VV, Guxo dhe Alternativa).

Ai theksoi se, nëse partia që ka dalë e para në zgjedhje nuk arrin ta formojë shumicën e nevojshme, PDK-ja është e gatshme të marrë përgjegjësinë e saj në formimin e Qeverisë së re, me Bedri Hamzën në krye të ekzekutivit.

Ne kemi objektiva të qarta për zhvillimin ekonomik, rikuperimin dhe forcimin e marrëdhënieve me partnerët tanë strategjikë, si dhe avancimin e procesit të integrimit euroatlantik. PDK-ja ka kapacitetin dhe vizionin për ta çuar Kosovën përpara”, është shprehur Krasniqi, sipas komunikatës së PDK-së.

Kurse, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Visar Azemi, ka ritheksuar në “Pressing” qëndrimin e partisë së tij kundër çdo forme bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje.

Sipas Azemit, raportet mes dy subjekteve politike kanë kaluar çdo kufi të mirëbesimit, duke e bërë të pamundur një marrëveshje mes tyre.

Ashtu siç jemi deklaruar disa herë, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk bën asnjë marrëveshje bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje sepse janë tejkaluar të gjitha mirëbesimet”, është shprehur Azemi.

Edhe AAK-ja është shprehur pro qeverisë së partive opozitare.

Madje, nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka mohuar se dikush prej deputetëve të AAK-së mund t`i bashkohet Albin Kurtit për të formuar qeverinë e re.

Ai ka bërë me dije se ka deputetë që mund të peshkohen, por të tillë nuk ka në AAK.

I dyti i AAK-së ka vlerësuar se askush prej kësaj partie nuk e han këtë karrem.

“Në Kosovë ka pasur raste të shumta që deputetët e kanë ndërruar mendjen, kanë ndërruar kamp dhe asnjëherë nuk është perceptuar bash mirë ashtu edhe prej publikut. Po besoj që peshkohen, ka disa që peshkohen dhe ka tjerë që nuk e hanë karremin. Në AAK askush nuk e han karremin”, ka thënë Gjini për RTV21.

Në bazë të qëndrimeve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, mundësia e vetme që Kurti të formojë qeverinë e re është me votat e Nismës. Gazeta Nacionale javën e kaluara ka raportuar se partia e Fatmir Limajt është e gatshme ta përkrah formimin e Qeverisë Kurti 3, por pa u bë pjesë e Qeverisë.

Në këtë mënyrë Nisma dëshiron t`i shmang zgjedhjet e reja të parakohshëm.

Lajme të ngjashme