Kurti e vlerësonte si dokument: Pse u largua nga drafti Aktgjykimi i Kushtetueses për Asociacionin dhe u vendos Rezoluta 1244? - NACIONALE

Kurti e vlerësonte si dokument: Pse u largua nga drafti Aktgjykimi i Kushtetueses për Asociacionin dhe u vendos Rezoluta 1244?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Publikimi i draft-statutit të Asociacioni nga Burim Ramadani, ka nxitur reagime të shumta në vend. Drafti, që po pretendohet së është ai i vërteti e ka ndarë shoqërinë kosovare në dy taborre. Mbështetësit e Qeverisë thonë së ky draft është më i mirë se ata të mëhershmit, kurse pjesa tjetër mendojnë se drafti në fjalë është “autonomi për serbët”.

Preambula është ndër pjesa më e komentuara të dokumentit. Kjo për faktin se aty si referencë përmenden shumë dokumenti, por jo edhe Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili në vitit 2015 e kishte rrezuar marrëveshjen e Brukselit për parimet e Asociacionit.

Mungesa e këtij dokumenti në faqen e parë të draft-statutit të Asociacionit ka befasuar njohësit e të drejtës kushtetuese.

Këtë aktgjykim kryeministri Albin Kurti vazhdimisht e kishte konsideruar si dokument shumë të rëndësishëm në procesin e hartimit të draft-statutit të Asociacionit.

Madje, edhe pak para pranimit të draftit të Asociacionit, Kurti kishte thënë se Asociacionit duhet të jetë në përputhje me këtë aktgjykim.

...e gjithë kjo duhet të jetë brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës, brenda vendimit të Gjykatës Kushtetuese të saj dhe gjithashtu në përputhje me letrën e Federica Mogherinit, e cila i ishte dërguar ish-kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, në të cilën shkruan se ai Asociacion nuk mund të ketë pushtet ekzekutiv apo të përfaqësojë nivelin e tretë të qeverisjes”, kishte thënë Kurti, në një intervistë për gazetën kroate “Veçernji List”.

Qeveria e Kosovës nuk e ka komentuar faktin e mungesës se këtij dokumenti. Madje, Qeveria ende nuk e ka pranuar se dokumenti i publikuar nga Burim Ramadani është ai i vërteti.

Ndërsa në deklarimet e tij, kryeministri Albin Kurti ka thënë vetëm se drafti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Zhvleftësimi i aktgjykimit

Në mungesë të këtij dokumenti, aty është vendosur Rezoluta 1244, e cila ua garanton integritetin e sovranitetin territorial të Serbisë, jo të Kosovës.

Zëvendësimi i këtij aktgjykimi me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së po shihet si skandaloz nga juristët dhe njohësit e rrethanave politike.

Ish-kryetari i Gjykata Kushtetuese, Enver Hasani, ka vlerësuar se kjo gjë nuk është dashur të ndodhet.

Sipas tij, mospërmendja e këtij aktgjykimi, dokumentin në fjalë e bën të pavlefshëm.

Statuti i Autonomisë serbe ka liruar Gjykatën Kushtetuese nga ky stres i panevojshëm – ka eliminuar nga referimi Aktgjykimin e vitit 2015, duke e hedhur atë në shportën e historisë së gjërave pa asnjë vlerë. Në vend të tij është futur Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, si dhe disa tekste të tjera ligjore që, në asnjë rrethanë, nuk guxojnë dhe nuk mund të shërbejnë si bazë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Statutit të Autonomisë serbe, për faktin e thjeshtë se ato janë ligje”, ka shkruar Hasani në një shkrim autorial.

Sipas tij, futja e rezolutës në preambulë është veçse një cinizëm brutal i barasvlershëm me bashkimin e barotit me zjarrin.

Futja e Rezolutës 1244, së bashku me ligjet, si bazë për interpretim të kushtetutshmërisë së Autonomisë serbe, dhe garantimi i njëkohshëm i integritetit territorial e sovranitetit territorial të Kosovës, nuk është veçse një cinizëm brutal i barasvlershëm me bashkimin e barotit me zjarrin. Rezoluta 1244 garanton integritetin e sovranitetin territorial të Serbisë, jo të Kosovës (sic !)”, ka shkruar Hasani.

Edhe ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedime me Serbinë, Edita Tahiri, e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për pranimin e një dokumenti të tillë.

Kosova shtet i UNMIKUT sipas Kurtit, Rezoluta 1244 pjesë e statutit të Asociacionit, skandaloze, e paparanueshme”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”.

Në preambulën e draft-statutit të Asociacionit përmenden 8 dokumente vendore dhe ndërkombëtare, por jo edhe Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015.

Aty si referencë përmendet Konventën Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare; Nenin 10 të Kartës Europiane të Vetëqeverisjes Lokale; Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë të Parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë; Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale; Ligjin për Bashkëpunim Ndërkomunal; Ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura; Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së; dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Lajme të ngjashme