Kurti i thotë LDK-së 'mizë' dhe e performon 'mbytjen' e saj, Rukiqi dhe Gashi: "Shuplakë arrogancës tënde"
Një krahasim me shije tejet të hidhët e nxori sot – dhe e performoi vet – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Pejë duke e ilustruar LDK-në si ‘mizë’ që po pandeh se po populli po i duartroket, kur në fakt ‘ju e dini çka do me i bë’.
Kësisoji duke e luajtur atë akt “të mbytjes së mizës” personalisht me zë, gjeste e trup Kurti përçoi mesazhin e radhës morbid gjatë fushatës zgjedhore të Vetëvendosjes që po udhëheq.
“Pra, kur ata thojnë që populli po i do, kjo është si ajo miza që lavdohet se njerëzit po e presin me duartrokitje. E ju e dini shumë mirë që me ato duar që duatrokasin çka janë duke provuar t’i bëjnë asaj mize”, tha Kurti.
Berat Rukiqi, kandidat për deputet nga Lidhja Demokratike të Kosovës, ia ktheu përmbys analogjinë me duatrokitje duke thënë se ato janë “shuplaka përfundimtare për paaftësinë dhe arrogancën tënde”.
“Kryeministër i foreve të lodhëta me miza e me dhi. Duartrokitjet e qytetarëve për Lidhjen tonë, janë shuplaka përfundimtare për paaftësinë dhe arrogancën tëndë”, tha Rukiqi.
“E juve, nuk po ju nihet vetëm piskama në foltore. Po ju nihet edhe piskama me krim kibernetik. Asnjë piskamë nuk e ndal uraganin e rikthimit të madh të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha mes tjerash ai.
Arben Gashi, kandidati për deputet i LDK-së po ashtu i reagoi Kurtit me atë që, sipas tij, Vetëvendosja në Pejë “është thjesht mushkonjë”.
“LDK-në nuk ka mundur ta zhdukë apo ta vrasë as regjimi i Millosheviqit, sepse LDK ka lindur si frymëzim për popullin, të cilit i ka shërbyer me nder dhe besnikëri historikisht”, tha Gashi,.
“Pikërisht në Pejë, ku kundërshtarët që sot kanë përmendur LDK-në, janë thjesht mushkonja. Peja e fitoreve të mëdha edhe më 9 shkurt do t’u tregojë vendin”.
“Ne, në Pejë, jemi pasardhësit e kryengritësve politikë e ushtarakë kundër Jugosllavisë, luftëtarëve të lirisë, përfaqësuesve të Rugovës dhe rugovizmit. Rrëzë Rugovës, në vendin e fitoreve të palëkundura të LDK-së, çirrjet paskan vazhduar”, tha mes tjerash.
Gashi tha se “nuk ka britmë që ndalon rikthimin e LDK-së”.
Albert Krasniqi nga “Demokracia Plus” vlerësoi se Kurti “po përpiqet me çdo kusht” të tërheqj vëmendjen e opozitës.
“Kryetari i VV-së po përpiqet me çdo kusht të tërheqë vëmendjen e opozitës, duke refuzuar të pranojë injorimin e arsyeshëm që po i bëhet”.
“Sot paska përdorur gjuhë denigruese ndaj LDK-së duke i shtrembëruar emrin në ‘LDKyhi’ dhe treguar batuta me miza, që janë pjesë e një diskursi polarizues që shpesh përdoret për të delegjitimuar kundërshtadët ose për t’i nënçmuar, duke i paraqitur si të pavlerë dhe qesharakë”, tha ai.
“Ky model i sjelljes nga një lider në pushtet është një shembull i keq, i cili mund të lërë pasoja afatgjata në diskursin publik”, përfundoi Albert Krasniqi.