Kurti e përsërit se vendi po vuan nga masat e BE-së, tash përmenden “ndëshkime” të tjera
Në dy intervista të dhëna javën e kaluar, derisa mori pjesë në Forumin e Bledit, kryeministri i vendit, Albin Kurti e theksoi se vendi po vuan nga masat e vendosura nga Bashkimi Evropian. Derisa krahas këtyre deklaratave ai po bën edhe thirrje për largimin e masave, opozita po përmend "sanksione" reja, ndërsa për masa ndëshkuese të mundshme, kishte folur edhe presidenci francez, Emmanuel Macron.
Komuniteti biznesor në Kosovë, por edhe agjencitë shtetërore, janë duke “vuajtur” nga masat e BE-së. Kryeministri Kurti në një intervistë dhënë fillimisht për “Bloomberg”, e më pas edhe për “TV Slovenia”, përmendi rrezikun nga pezullimi i fondeve e kredive.
“Masat po na dëmtojnë në aspektin financiar, në përkrahjen nga fondet, grantet dhe kreditë që marrim ne nga BE-ja.” – ka deklaruar ai.
Ndërkaq, në intervistën që u publikua sot, Kurti u pyet direkt nga një gazetare sllovene se “a mund t’i humbasë Kosova 500 milionë euro si pasojë e këtyre masave?”.
“Është e vërtetë që ne po vuajmë për shkak të këtyre sanksioneve. Kryesisht komuniteti ynë i biznesit, por edhe shërbimet shtetërore. Për shembull, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit është ngrirë, megjithëse ne e kemi përmbushur atë në 69 për qind. Huatë dhe grantet si dhe financimet nga fondet e Bashkimit Evropian janë gjithashtu në rrezik. E gjithë kjo u ndërpre.” – u shpreh kryeministri.
Kush po përmend “sanksione” të tjera?
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri dje deklaroi se ndaj vendit është përgatitur edhe pakoja e dytë e masave ndëshkuese nga Bashkimi Evropian. Dhe, sipas tij, një gjë të tillë e di edhe vetë Qeveria e Kosovës.
“Pakoja e dytë është e përgatitur dhe Qeveria e Kosovës është e njoftuar për fuqizimin e pakos së dytë ata po flasin për lehtësimin e pakos së parë.” – u shpreh mes tjerash ai.
Para disa ditësh, në një intervistë për Nacionalen, ish-ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku deklaroi që derisa nuk përmbushen tërësisht kërkesat e BE-së, vendi rrezikon që të ballafaqohet edhe me ndëshkime shtesë.
“....Prandaj, për aq kohë sa nuk përmbushën tërësisht kërkesat e BE-së, sanksionet do të mbesin në fuqi dhe rrezikojmë që të ballafaqohemi edhe me ndëshkime shtesë. Kryeministri Kurti është i vetëdijshëm se ka pranuar një marrëveshje të keqe për Kosovën, dhe në këmbim të saj, Kosova nuk ka përfituar asgjë.” – deklaroi ai.
Por jo veç opozita, një paralajmërim që u konsiderua si “kërcënim” e bëri para pak ditësh edhe presidenti francez, Emmanuel Macron.
Në një fjalim të tij para ambasadorëve ku foli edhe për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, ndër të tjera Macron paralajmëroi masa ndaj palëve nëse nuk veprojnë me përgjegjësi.
Ai madje, si masë përmendi edhe pezullimin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Ne presim që paqja do të kthehet në këtë pjesë. Franca e Gjermania kanë bërë zotime sa i përket politikave të vizave dhe çështje tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse palët dështojnë të sillen me përgjegjësi. Duhet të jemi vigjilentë veçanërisht në këtë aspekt, veçanërisht kur bëhet fjalë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.” – ka thënë ai.

