Haziri i LDK-së: Pakoja e dytë e masave ndëshkuese ndaj Kosovës është përgatitur, Qeveria e di
Nënkryetari i LDK-së, Lufti Haziri ka bërë një paralajmërim të frikshëm, duke thënë se ndaj Kosovës është përgatitur edhe pakoja e dytë me sanksione nga Bashkimi Evropian.
Haziri në Tëvë1 ka thënë se Qeveria e Kosovës është e njoftuar për pakon e dytë.
“E rëndësishme është që Qeveria me tregu çka keni abuzu që tani Kosovën ju po e vendosni në masa të kufizimit, sepse pako e dytë do të jetë mos të them katastrofale se është e butë, për të ardhmen e Kosovës do të jetë mortale. Pakoja e dytë është e përgatitur dhe Qeveria e Kosovës është e njoftuar për fuqizimin e pakos së dytë ata po flasin për lehtësimin e pakos së parë. Është manipulative me fol për lehtësimin nga pakoja e parë kur nuk e kanë ndërmarrë asnjë veprim konkret për me i përmbushë obligimet që i ka ndaj marrëveshjes së tij të Ohrit që e ka realizu me ndërmjetësit ndërkombëtarë.” – ka thënë ai.
Ai ka thënë se vendosja e masave ndaj Kosovës është për shkak të moszbatimit të marrëveshjes Kurti-Vuçiq dhe se sipas tij, qeveria ka hy në “lloq të gjallë deri në fyt me marrëveshjen e Ohrit.”
“Është marrëveshja Kurti – Vuçiq që është baza kryesore e vendosjes së masave ndaj Qeverisë dhe marrëveshja i adresohet atij, nuk ka tash me thënë jo është marrëveshja e vitit 2015, jo marrëveshja e vitit 2013. Tani shpëtimin po e gjenë në marrëveshjen e vitit 2015 dhe 2013. Ky kryeministër dhe kjo qeveri shpëtimin e vet janë duke e kërku në këto dy marrëveshje ndërsa po harrojnë që kanë hy në lloq të gjallë deri në fyt me marrëveshjen e 18 marsit në Ohër.” – ka thënë ai.
