Kurti e lë në gjysmë diskutimin për dialogun: Shtyhet seanca e Kuvendit - NACIONALE

Kurti e lë në gjysmë diskutimin për dialogun: Shtyhet seanca e Kuvendit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Seanca për të diskutuar rreth dialogut Kosovë-Serbi nuk vazhdoi në pjesën e dytë të ditës. Shkak për këtë u bë largimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Meqënëse kryeministri Kurti nuk u kthye në seancë, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, kërkoi që seanca të shtyhet.

“Nëse kryeministri kthehet në rregull, nëse jo, e vazhdojmë ndonjë ditë tjetër kur dakordohemi me opozitën dhe mazhorancën”, tha Tahiri.

Pak më ironizues ishte shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

“Nuk ka kuptim të mbahet debati pa kryeministrin. Ky debat e këto diskutime duhet të bëhen me kryeministrin. Nëse nuk po nihet mirë po e presim derisa t’i kalon”, tha Gashi.

Edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, vlerësoi se vazhdimi i seancës nuk ka kuptim pa kryeministrin.

“Edhe ne ndajmë të njëjtin mendim. Seanca s’ka kuptim pa kryeministrin”, tha Tahiri.

E shefja e grupit të Vetëvendosjes deklaroi se kryeministri është në një takim.

“Kjo seancë është ftuar nga opozita. Sipas informatës ai është aktualisht në takim, por prezencën e tij e ka ofruar zv/kryeministri përgjegjës për dialogun. Është seancë të cilën e kanë ftuar dhe sipas kërkesës e vendimit të tyre ne jemi të gatshëm”, tha Mimoza Kusari-Lila.

Seanca e sotme u diskutua me debate të ashpra.

Çfarë u diskutua?

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dha detaje nga plani franko-gjerman. Në fakt, detajet ishin edhe arsyeja parësore e thirrjes së kësaj seance.

Sipas shefit të ekzekutivit, ka pasur dy dokumente të tilla, me të dytin siç tha ai, merre ose lëre.

“Versioni i dytë ka adresuar dy nga komentet tona, por nuk ka lëvizur prapa në asnjë nga parimet që ngërthente dokumenti i parë. Dokumenti kryesor kësja radhe kishte plan zbatimi. Me datë 20 janar 2023, emisarët që shoqëruan Lajçakun, amerikan, gjerman, francez, e italian, dhanë disa qëndrime. Ata më bënë të qartë se propozimi kryesor këtë herë është fare pranë merre ose lëre", tha fillimisht ai.

Tutje, i pari i qeverisë pohoi se i gjithë aparati diplomatik e politik i shteteve është vënë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

"Nuk do të lejohet hapja apo negocimi i tij. I gjithë aparati diplomatik e politik i shteteve është vënë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Nuk pritej jo nga Kosova, sepse do të hynim në rrugë konfrontimi me ta. Cfarëdo refuzimi do të shoqërohet hapa kundërshtues e ndëshkues në hapa diplomatik për Kosovën. Unë ia dhashë komentet e mia qysh në fillim të atij takimi. Edhe herën e parë edhe herën e dytë i kam ofruar të shkruara”, vazhdoi Kurti.

Në anën tjetër, i pari i AAK-së, ka ripërsëritur qëndrimin e tij pro këtij plani, duke thënë se për të dhe partinë e tij është i pranueshëm.

Ai ka thënë se plani franko-gjerman është marrëveshja finale dhe sipas tij, më nuk do të ketë marrëveshje dhe se kushdo që mendon se do të ketë marrëveshje tjetër, sipas Haradinajt, është gabim.

“Kosova jo ta kthen vetën në palën humbëse dhe jo ta vlerëson vetën si pala që s’ka kry punë. Unë besoj që duhet të sillemi ndryshe, për ne kjo është marrëveshja finale, nuk do të ketë më marrëveshje me Serbinë. Që të thuhet se ka edhe një marrëveshje dhe dialog, këtu gabojnë, unë besoj që kjo është ndarja finale me Serbinë, kjo marrëveshje e aleatëve tonë që kanë qenë këtu, vërtetë quhet plan franko-gjerman për është amerikan dhe evropian.” – ka thënë ai ndër të tjera.

Ai ka thënë se marrëveshja me Serbinë duhet të pranohet pasi siç ka thënë ai: “konfirmimin e kemi prej atyre që japin fjalë e që nuk janë që nuk kanë me i mbajtë” duke nënkuptuar në përkrahjen e Amerikës.

Kryetari i LDK-së ndërkaq, Lumir Abdixhiku, mbajti një fjalim të gjatë që në mënyrë direkte i përgjigjej atij të kryeministrit Albin Kurti që foli për planin franko-gjerman, dhe madje e mbrojti atë.

Fillimisht, ai e nisi me akuza ndaj Kurtit për mungesën e transparencës në procesin e dialogut. Për çka, i përmendi edhe një sponsorizim që kishte bërë.

“Ndonëse e normuar me rezolutë, sponzorizuesi i së cilës rezolutë gjendet në tjetër karrige sot, raportimi i kryeministrit në Kuvend na ndodhë sot, për herë të parë, besoni ose jo; dhe të vetme në dy vite udhëheqje të tij. Kaq pak transparencë e kaq shumë shpërfillje ndaj përfaqësuesve të popullit, pozitë e opozitë pa dallim, nuk ka mundur të tregojë askush asnjëherë.” – është sulmi i tij i parë i bërë nga foltorja e Kuvendit, vetëm një metër larg karriges ku ndodhej kryeministri i vendit.

Për vazhdimin e seancës do të vendosë Kryesia e Kuvendit.

Lajme të ngjashme