Kurti e Hamza në Paris, Haradinaj në Çikago, Abdixhiku në Ferizaj: Çka po bëjnë kandidatët për kryeministër?
Me afrimin e datës së zgjedhjeve, kandidatët e partive politike për kryeministër kanë shtuar aktivitet e tyre. Si në aktivitet e tyre brenda vendit ashtu edhe jashtë Kosovës, ata po takojnë grupe të ndryshme të qytetarëve për prezantimin e platformave të tyre politike.
Albin Kurti, Bedri Hamza, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj kanë pasur javë të ngjeshur me takime të ndryshme.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas aktiviteteve zyrtare që ka pasur në Forumin e Parisit, ka vazhduar ato elektorale me diasporën.
Në një tubim, ai ka lavdëruar diasporën për kontributin që ka dhënë dhe po jep për Kosovën.
“I nderuar me mikpritjen e bashkatdhetarëve tanë në Paris. Diaspora jonë ka vënë shembullin e përkushtimit ndaj atdheut, jo vetëm në të kaluarën e të tashmen por edhe për të ardhmen. Pa kontributin e tyre, vendi ynë nuk do ta gëzonte lirinë dhe zhvillimin, dhe falë kontributin të tyre Kosova sot ka mbështetje të palëkundur gjithandej botës. Gjatë këtij takimi të përzemërt në Paris, ndamë përparimet që ka bërë Kosova në ekonomi e siguri, drejtësi e shëndetësi e në plot fusha të tjera. Kosova nuk është vetëm aty ku është fizikisht, ajo jeton dhe zhvillohet kudo ku është diaspora e saj. Së bashku vazhdojmë të kontribuojmë për një të ardhme më të ndritur për vendin tonë”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në “Facebook”.
Edhe kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka qëndruar në Parisë gjatë kësaj jave, ku është takuar me zyrtarë të lartë francez.
“Pas takimeve me zyrtarë qeveritarë në Paris, agjendën e vazhdova me një takim të rëndësishëm në OECD (Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik), me Drejtorin Global për Çështje Arsimore të kësaj organizate, mikun tim Andreas Schleicher. Andreas është i njohur botërisht si eksperti që ka zhvilluar tërë sistemin botëror të testeve dhe instrumenteve arsimore PISA. Kosova, siç e dimë, ka shënuar rezultate të ulëta dhe me Andreas biseduam gjerësisht, duke i analizuar këto rezultate dhe reformat strategjike që mund t'i implementojmë shpejt në Kosovë”, ka shkruar Hamza në profilin e tij në “Facebook”.
Nuk dihet nëse Hamza në Paris do të ketë ndonjë takim elektoral me diasporës, por para nisjes në Parisë, ai ka pasur disa takime me qytetarët e Kosovës.
Në vizitë jashtë Kosovës po e realizon edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Pas takimeve zyrtare në Forumin Global 2024 të Universitetit të Çikagos në SHBA, ai ka takuar një pjesë të diasporës që jetojnë në këtë shtet.
Në profilin e tij në “Facebook”, Haradinaj ka kërkuar institucionalizimin e lidhjeve të Kosovës me diasporën.
“Pata nderin të takoja diasporën tonë në Çikago. Secili prej tyre, me historitë e tyre personale, vetëm sa e dëshmon fuqinë dhe aftësinë e jashtëzakonshme të kombit tonë, si dhe sa shumë janë zhvilluar shqiptarët në Amerikë. Kjo lidhje e fortë me ta duhet të forcohet dhe të institucionalizohet”, ka shkruar Haradinaj.
Kurse, kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka vazhduar takimet me qytetarë nëpër fshatra të ndryshme të Kosovës.
Një të tillë e ka pasur edhe fshatin Zaskok të Ferizajt.
“Bashkë me banorë të tjerë të këtij fshati, diskutuam për sfidat e mëdha që ata kanë në çdo përballje. Të lënë vet e pa mbështetje, familjet kosovare në çdo takim shfaqin ndjenjën e thellë të dëshpërimit, por mbi të gjitha të thirrjes për shpresë e ndryshim. Këtë ndryshim, të vërtetë, do ta gjejnë tek ne. Ndër të tjerash - me këta qytetarë, diskutuam dhe për rëndësinë e familjes, dhe konceptin tonë politik të djathtë që brenda programit ‘Rruga e Re’ e vendosë familjen në qendër. Takimet me qytetarë dhe pritja me plot shpresë që po e gjejmë gjithandej, nga ambientet familjare tek bisedat me familjarë, vazhdon të jetë konfirmim i momentumit të mirë nëpër të cilin po kalojmë si Lidhje! Do të vazhdojmë çdo natë kështu, në çdo lagje e çdo anë, sepse Kosovën e bëjmë bashkë me njerëzit tanë!”, ka shkruar Abdixhiku në profilin e tij në “Facebook”.