Kurti e çon larg armiqësinë ndaj mediave, misionit partner të KiE-së as iu zotua të dënojë sulmet ndaj gazetarëve
Njëzet e katër pozita më poshtë ishte rënia masive që Kosova kishte shënuar në raportin e Reporterëve pa Kufinj për liri të medias vitin e kaluar, duke rënë edhe më poshtë se Serbia, dhe gati se barazvleruar me shtete autoritare si Federata Ruse e Bjellorusia. Albin Kurti i Vetëvendosjes s’e kishte ndjerë të udhës të përgjigjej për gazetarë për këtë rënie drastike, duke i vendosur rojtarët e vet të shtyjnë gazetarët nga çfarëdo afrie dhe të ecte rrugës së vet. Zëdhënësi i tij asokohe, Përparim Kryeziu, pati fajësuar “cilësinë” e medias, dhe konstatuar kurrëfarë rënie në liri të saj. Një vit më vonë, gjendja ka kaluar në tone edhe më të ashpra ndaj mediave, për çka të alarmuar u shprehën një delegacion i Këshillit të Evropës të cilët u takuan me Kurtin. Në komunikatën e tyre për shtyp, ata njoftuan se nga Albin Kurti nuk morrën asnjë zotim se do t’i dënojë publikish sulmet ndaj gazetarëve. “Delegacioni i bëri thirrje drejtpërdrejt atij, ministrave të tij dhe zyrtarëve të partisë që të jepnin shembull për shoqërinë duke dënuar dhe duke u përmbajtur nga përdorimi i shpifjeve të papranueshme, veçanërisht gjuhës përçarëse kundër gazetarëve. Kryeministri nuk u zotua të dënonte publikisht sulme të tilla”, u tha në komunikatën e këtij misioni më 25 mars.
Ditë më parë, Albin Kurti nga foltorja e Kuvendit të Kosovës i dha një sulm të rëndë mediave kosovare duke i dhënë hov një deklarate të pasaktësuar të një gazetari vendor se (sic) mediat “marrin para me thesë (nga Serbia)” dhe dhe se “armiqt e vendit...gjejnë argat në vendin tonë.” Kjo shënoi sulmin më të rëndë ndaj mediave deri më sot për çka u dënua nga mediat dhe organizatat që përfaqësojnë median.
- “Fjala e thënë duhet të jetë e lirë. Por fjala sështë e lirë nëse e kapur për Raportimet për thasë parash, ato janë kërcënim i drjetpërdrejtë për integritetin. Paraja blen ndikim, orienton narrativë, dhe në fund deformon opinionin e qytetarit. Ky manipulim po vjen direkt nga armiqt tanë, dhe po gjejnë argat brenda vendit tonë. Pavarësia s’mund të ndërtohet mbi fshehtësi që financojnë shpifjen. Liria editoriale duhet të pasqyrohet me transparencë të plotë për pronësi. Nëse secili biznes tjetër jep përgjegjësi për financat e tij, mediat duhet të jenë në të njëjtin nivel. Nëse në diktaturat e dikurshme kontrolloheshin rezultatet, sot nga oligarkia ka mundësi të kontrollojë premisat,” tha Albin Kurti.
Një mision i KiE-së për lirinë e medias i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës për “veprime të menjëhershme”, pas përkeqësive çdo herë e tëmë të mëdha tqë nga viti 2023. Delegacioni i organizatave partnere të Platformës së Këshillit të Evropës vlerësoi se “niveli i qëndrueshëm i lirisë së medias është zëvendësuar me rënie gjatë tri viteve të fundit”. Edhe pse vendi ruan pluralizëm mediatik dhe kornizë ligjore formalisht të përafruar me BE-në, “praktika politike po e gërryen këtë ekuilibër.”
Sipas misionit, faktorët kryesorë përfshijnë “rritjen e kontrollit politik”, presionin ndaj transmetuesit publik RTK dhe “sulmet verbale e denigruese ndaj gazetarëve nga zyrtarët e pushtetit”. Ligji për KPM-në, i rrëzuar si antikushtetues, cilësohet si shembull i ndërhyrjes problematike. Një trend shqetësues mbetet përdorimi i etiketave si “mercenarë” dhe “agjentë”, që sipas delegacionit “minojnë besimin publik dhe rrisin rrezikun për gazetarët”. Ndërkohë, Kryeministri nuk u zotua “të dënojë publikisht” këto sulme.
Kosova pati regjistruar rënien më të thellë në 15 vitet e fundit në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit nga Reporterët pa Kufij, duke zbritur në vendin e 99-të nga 180 shtete më 2025. “Ky është një regres i vazhdueshëm dhe shqetësues për një demokraci të re”, thuhej në raportin e publikuar më 2 maj të vitit të kaluar. Për të dytin vit radhazi Kosova mori tatëpjetën duke u renditur ndër më të dobëtit në rajon dhe në hapësirën e Bashkimit Evropian.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e përshkruante situatën si alarmante dhe shtone se “kjo është renditja më e ulët në një dekadë dhe reflekton një politikë aktive armiqësore ndaj mediave”. Sipas tyre, “klima e krijuar nga Qeveria është kundër mediave”, duke përmendur presionin institucional, ligjin për KPM-në dhe gjuhën frikësuese ndaj gazetarëve. Flutura Kusari, juristja e mediave, shtonte se “akuzat e pabaza për bashkëpunim me armikun dhe mosndëshkimi i sulmeve” kanë ndikuar drejtpërdrejt në këtë rënie.
Qeveria e kundërshtonte këtë dhe fajin e kthente përmbys, se “nuk kemi mungesë të lirisë së shtypit, por rënie të standardeve të mediave”, sipas zëdhënësit asokohe Përparim Kryeziu, duke e cilësuar raportin “jo pasqyrim korrekt të realitetit”. Në anën tjetër, opozita e pati dënuar për “frikësim, kontroll dhe arrogancë politike”.