Kurti e Bislimi sot para medieve e Lajçak në veprim "me partnerët amerikanë e evropianë" për dialogun - NACIONALE

Kurti e Bislimi sot para medieve e Lajçak në veprim "me partnerët amerikanë e evropianë" për dialogun

1 javë më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të mbajë sot konferencë për medie bashkë me zëvendësin e tij, Besnik Bislimi. Kjo është paraqitja e parë për medie që nga takimi më 14 shtator mes Kurti dhe Vuçiqit në Bruksel. Ky takim përfundoi pa rezultate. Për takimin e 14 shtatorit ka shkruar të dielën mbrëma edhe emisari Lajçak.

Sipas agjendës së publikuar nga Zyra e Kryeministrit, konferenca e kryeministrit Kurti dhe zëvendëskryeminitrit Bislimi do të mbahet në ora 10:30.

Në këtë njoftim nuk janë dhënë detaje se për çka Kurti e Bislimi do të adresohen para medieve.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, mbajnë konferencë për media.” – thuhet në njoftim.

Kjo është paraqitja e parë për medie pas pëfundimit të takimit të mbajtur para 4 ditëve në Bruksel, pasi përveç paraqitjes pas përfundimit të takimit, Kurti nuk ka pasur ndonjë deklarim tjetër rreth takimit me Vuçiqin.

Lajçak në veprim

Në anën tjëtër, i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka shkruar në Facebook të dielën mbrëma për takimin e 14 shtatorit.

Ai ka thënë se në këtë takim kanë pritur rezultatet më të mira.

Më tej, ai ka bërë të ditur se ka njoftuar vendet e BE-së për takimin teksa ka theksuar se çështjen e dialgout do ta diskutojë edhe më partnerët amerikanë.

Javën e fundit e kalova në Bruksel, ku së bashku me ekipin tim, u përgatitëm për takimin e Dialogut të Nivelit të Lartë të së enjtes të organizuar nga 🇪🇺 HR/VP Josep Borrell. Siç është shprehur tashmë në komentet e shtypit nga HRVP, ne shpresonim për një rezultat më të mirë. Gjendja e lojës në Dialog, së bashku me situatën e tensionuar në veri të Kosovës do të jenë objekt i diskutimeve të ardhshme strategjike me partnerët tanë amerikanë dhe evropianë për të përcaktuar hapat tanë të ardhshëm. Pas takimit të nivelit të lartë, iu drejtova ambasadorëve të vendeve anëtare 🇪🇺 në Bruksel. Unë jam mirënjohës për interesimin e tyre në Dialog dhe për mbështetjen e tyre të fortë.” – ka shkruar Lajçak në Facebook.

Kurti e Bislimi

Ndërkohë, Kurti dhe Bislimi për takimin më 14 shtator hodhën akuza në drejtim të emisarit Lajçak.

Kurti pas përfundimit të takimit ka thënë se nuk mund të bëjë kompromis duke u kushtëzuar me formimin e Asociacionit.

Ai ka thënë se kushtëzimi i Serbisë, është kthyer në propozim nga ana e emisarëve të BE-së.

"Është për të ardhur keq që emisari evropian, Lajçak, e ka pranuar një kushtëzim të tillë.” – ka thënë Kurti, duke shtuar se Lajçak këtë gjë e ka bërë “në cenim të funksionit të tij si lehtësues dhe ndërmjetësues".

Gjithashtu kritik ndaj Lajçakut ishte shprehur edhe zv.kryeministri Bislimi.

Bislimi një ditë pas takimit ka thënë se BE-ja ka vepruar njësoj si Serbia, duke kërkuar themelimin e Asociacionit.

“BE-ja dhe Serbia nuk paraqitën asgjë, por këmbëngulën për të akomoduar kërkesën e Serbisë për t'u fokusuar vetëm në AKSHS. Çdo raportim alternativ është një shtrembërim i qartë dhe i qëllimshëm i së vërtetës.” – ka shkruar ndër të tjera Bislimi në Facebook.

Lajme të ngjashme