“Borrelli e Lajçaku s’kanë kryer gjenocid”: Kur Kurti e mbronte dyshën e BE-së nga Thaçi
Ishte marsi i vitit 2020. Atëbotë Albin Kurti, që edhe tash është kryeministër i Kosovës, kishte një qëndrim më ndryshe për Josep Borrellin dhe Miroslav Lajçakun, dyshen e BE-së që merret me dialogun në Bruksel.
Ndryshe nga kritikat e djeshme, Kurti atëkohë e mbronte Borrellin e Lajçakun, të cilët qenë në shënjestër të kritikës së Hashim Thaçit, ish-president i Kosovës.
Kritikat e ashpra dhe të shpeshta të Thaçit nuk i pëlqenin Kurtit, i cili u kishte dalë në mbrojtje Borrellit e Lajçakut. Sipas Kurtit, Thaçi po fliste më keq për dyshën evropiane se për Aleksandar Vuçiqin, president aktual i Serbisë, dhe Ivica Daçiqin, ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë.
Madje, në përpjekjen e tij për të mbrojtur dy zyrtarët e BE-së, Kurti thoshte se Borrelli e Lajçaku nuk kanë kryer gjenocid në Kosovë.
“Kosova është shtet në kontinentin e Evropës, e nuk është atje në kufi me Meksikë. Thaçi më keq po flet për Borrellin, Lajçakun e Brukselin se sa për Daçiqin, Vuçiqin e Beogradin. Borrelli e Lajçaku nuk kanë kryer gjenocid në Kosovë.” – thoshte ai.
