“Kurti dhe Haxhiu më qëllim e kanë djegur afatin Kushtetues”: Haradinaj deklarohet para seancës - NACIONALE

“Kurti dhe Haxhiu më qëllim e kanë djegur afatin Kushtetues”: Haradinaj deklarohet para seancës

1 orë më parë

nga NACIONALE

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, se qëllimisht kanë lejuar skadimin e afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit.

Para fillimit të seancës së sotme, Haradinaj deklaroi se rezultatet e zgjedhjeve janë certifikuar më shumë se një muaj më parë, por gjatë kësaj periudhe, sipas tij, nuk është ndërmarrë asnjë veprim për përgatitjen e seancës konstituive.

“Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu me qëllim ia kanë djegur Kosovës afatin kushtetues. Certifikimi i rezultateve ka ndodhur para më shumë se një muaji, diku rreth 40 ditë, dhe nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim që do të ishte përgatitje për seancën e parë”, ka deklaruar Haradinaj.

Haradinaj kritikoi edhe vendimin për caktimin e seancës në ditën e fundit të afatit, duke pretenduar se një veprim i tillë është bërë me qëllim të krijimit të një situate të bllokuar institucionale.

Sipas tij, mosrespektimi i afatit kushtetues ka penguar procesin e formimit të institucioneve të reja, duke përfshirë zgjedhjen e kryesisë së Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.

“E kanë shtyrë seancën në datën e fundit qëllimisht dhe e kanë djegur afatin kushtetues, me zgjedh kryesinë e Kuvendit, me zgjedh kryetarin, me zgjedh qeverinë, me zgjedh presidentin”, është shprehur Haradinaj.

Lajme të ngjashme