Kurti del nga takimi me Abdixhikun: S’kemi lajme, kur ta realizojmë marrëveshjen ju njoftojmë - NACIONALE

Kurti del nga takimi me Abdixhikun: S’kemi lajme, kur ta realizojmë marrëveshjen ju njoftojmë

2 orë më parë

nga NACIONALE

Ka përfunduar takimi mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Kurti, shkurt para mediave ka thënë se “nuk ka lajme” dhe se “do t’ju njoftojmë kur ta realizojmë marrëveshjen”.

“Nuk kemi lajme, përderisa s’kemi marrëveshje. Po, kur ta realizojmë marrëveshjen, do të mund t’ju njoftojmë”, ka thënë ai.

Në një deklaratë para mediave, të martën kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ishte shprehur se ka “vullnet e zell për të punuar bashkë”. Më pas, ai përmendi edhe Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, parti që kanë refuzuar takimet me Kurtin.

“Ka shumë vullnet e zell për të punuar bashkë në të ardhmen, kjo është optimiste për të dy subjektet tona, një gjë shumë e mirë për vendin tonë dhe qytetarët në përgjithësi.

Nuk mund të themi se takimet me LDK-në janë ndonjë lajm tashmë në Kosovë, normale që ndodhin, takimet mes subjekteve politike nuk duhej të ishin lajm. Pavarësisht a jemi në opozitë a qeverisje duhet të takohemi, komunikojmë, bashkëpunojmë për atë që pajtohemi.

Ajo që fatkeqësisht është lajm sot në Kosovë është që nuk arrita të takohem sërish me kryetarin e ri të AAK-së, Ardian Gjini, përkundër përpjekjeve tona, mendojmë që është e paarsyeshme që mos të takohemi e bisedojmë.

Në anën tjetër, për dallim prej kryetarit të AAK-së që u vetëpërjashtua para se të fillojë procesi, e kemi një situatë tjetër jo të lehtë për shkak se kryetari i PDK-së u përjashtua në fillim të procesit, zhvilluam vetëm një takim, nuk u bë e mundur. Vullneti dhe gatishmëria do të jenë gjithmonë aty, në një kohë të përshtatshme, kudo që zgjedhin ata, jam gati për t’u takuar. Nuk besoj që ka diçka për të cilën nuk pajtohemi, ka gjëra për të cilat pajtohemi”, u shpreh ai.

Kurti tutje deklaroi se, nëse nuk ka marrëveshje politike, “zgjedhjet mund të shkaktohen”, duke shtuar se komunikimi me LDK-në do të vazhdojë edhe ditëve në vijim.

“Sa i përket takimit me LDK-në, lajm do të ishte po të kishim marrëveshje, marrëveshje politike nuk kemi, diskutuam për qasje të ndryshme, mundësitë që kemi përpara, kemi nevojë për një marrëveshje politike që respekton rezultatin zgjedhor, nuk e zëvendëson atë.

Askush nuk i do zgjedhjet e reja, por nëse nuk kemi marrëveshje, përkundër mosdëshirës, ato mund të shkaktohen. Jemi të vetëdijshëm edhe VV edhe LDK. Do të përpiqemi, do të vazhdojmë komunikimin. Meqenëse janë afruar ditët, koha është shkurtuar, do të mundohemi që edhe në rast të mungesës së një marrëveshjeje politike nesër, pasnesër të jemi në fillimin e seancës konstituive të Kuvendit”, ka thënë ai.

“Vullnetin e mirë” e përmendi edhe Abdixhiku në fjalën e tij para mediave, ku u shpreh se kanë kërkuar që të procedohet me konstituimin e Kuvendit të Kosovës nëse deri atë ditë “nuk ndodhë asgjë”.

“Ishte një takim i mirë, i mbarë, ku u trajtuan çështje të ndryshme programore, politike, të ardhmen strategjike. Do të përpiqemi në ditët në vazhdim të kemi diskutime më thelbësore. LDK qëndron brenda parimeve të bëra tashmë publike.

Do të vazhdojnë takimet me këtë vullnet të mirë, nëse s’bëjmë asgjë, e vetmja gjë e garantuar janë zgjedhjet e reja. Prandaj marrim pjesë në takime. Në këtë përpjekje tonën, do të insistojmë që të ruhet demokracia, dhe nëse LDK-ja mund të arrijë partneritet të ndihet e përfaqësuar.

Nëse deri më datë 6 gusht nuk ndodhë asgjë, kemi kërkuar të procedohet tutje me konstituimin e Kuvendit, sepse LDK nuk ka asnjë apetit për kryetarin e Kuvendit. Për çështje të tjera, kemi afat kohë shtesë, sa më herët, më mirë që bëjmë zgjidhje, sepse Kosova ka shumë përpara”, tha ai.

Lajme të ngjashme