Kurti: Betimi i kryetarëve në veri do të bëhet nesër, mbahet në ndërtesa publike
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fillim të mbledhjes së Qeverisë ka konfirmuar se kryetarët e tri komunave në veri pritet që të betohen nesër.
Ndonëse nuk ka treguar se ku, Kurti deklaroi se seanca konstituive dhe betimi i kryetarëve do të mbahet në “ndërtesa publike në këto komuna”.
“Nesër në ndërtesat publike në këto komuna do të mbahen seancat konstituive dhe betimi i tre kryetarëve. Kanë kaluar mbi gjashtë muaj prej kur këto komuna mbeten pa kryetarë, pa kuvende, e banorët atje pa shërbime komunale, kjo nuk është normale.” – u shpreh ai.
Ndërkohë, Kurti ka folur edhe për betimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, derisa bëri të ditur se dje janë emëruar edhe katër drejtorë.
“Të premten, Erden Atiq bëri betimin e tij, kjo është normale pas një procesi zgjedhor, e nënkretare e komunës u emërua Katarina nga radhët e komunitetit serb, edhe kjo është normale. Dje u emëruan katër drejtorë, një serb, një boshnjak, një egjipitan e një shqiptar.” – ka thënë ai.
Sa i përket daljes së ulët të qytetarëve në zgjedhjet që u mbajtën para një muaji, Kurti tha se pati presion nga Beogradi zyrtarë ndaj qytetarëve në veri.
“Dje u bë një muaj prej mbajtjes së zgjedhjeve në komunat veriore. Nuk pati asnjë incident, ishin të qeta dhe paqësore. Friëksimet, linçimet, trysnia dhe shantazhi nga Beogradi ndikoi drejtpërdrejtë në daljën e ulët të qytetarëve tanë.” – u shpreh Kurti.
Kryetari i ri i Zveçanit do të betohet në kullën e Isa Boletinit
Kryetari i ri i Zveçanit, Ilir Peci, ka bërë me dije se seanca solemne për betimin e tij si kryetar do ta mbahet nesër në fshatin Boletin, në Kullën e heroit kombëtar Isa Beletini.
Përmes një komunikate për media, Peci ka treguar se tashmë ftesat dhe rendit i ditës është shpërndarë të asamblistët.
“Bazuar në afatet që dalin prej Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe Udhëzuesit për Inaugurimin dhe Funksionalizimin e Organeve të Komunës, ne kemi shpërndarë ftesat dhe rendin e ditës për anëtarët e Kuvendit Komunal shtatë ditë pune para seancës. Të njëjtën shkresë e kemi dorëzuar edhe tek Ministria e Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL), me datë 18 maj 2023. Ftesat janë dërguar nga asamblisti më i vjetër nga mosha, që vjen nga radhët e Vetëvendosjes”, është thënë në komunikatë.
Ai e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë ceremoni.
“Sot, ne u njoftuam se asamblisti me i vjetër që vjen nga Vetëvendosje në koordinim me Ministrinë e Administratës dhe Pushtetit Lokal, kanë caktuar mbledhjen inauguruese te Kuvendit të komunës së Zveçanit për datën 25 05.2023 në ora 10 e cila do të mbahet në Boletin. Unë, si Kryetar i zgjedhur, së bashku me anëtarët e Kuvendit, përmes kësaj shkrese konfirmojmë pjesëmarrjen tonë në këtë seancë”, thuhet në komunikatë.
As dy kryetarët tjerë të komunave veriore nuk do të mbahen në ndërtesat e komunave.
Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, pritet të betohet në fshatin Qabër të kësaj komune.
Në të njëjtën ditë, edhe kryetari i ri i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, pritet të betohet si kryetar i komunës në fshatin Bistricë.
Ndryshe nga këta të tre, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, është kryetari i vetëm që është betuar në ndërtesë të komunës.

