Kurti assesi nuk i jep kredit Osmanit për Bordin e Paqes, e merr për çështje të MB-së dhe MPB-së - NACIONALE

Kurti assesi nuk i jep kredit Osmanit për Bordin e Paqes, e merr për çështje të MB-së dhe MPB-së

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Uashingtoni që tash e një kohë kanal e adresë komunikimi e ka Vjosa Osmanin.

Ndonëse kohëve të fundit ishte pikërisht ajo që ishte e penalizuara përfundimtare me shkëputjen e Dialogut Strategjik Kosovë – ShBA nga Departamenti amerikan i Shtetit–nismë kjo e negocuar dhe arritur nën patronatin e vet–Osmani qëndroi dhe participoi në korridoret e mëdha të pushtetit amerikan prej Donald Trump e Marco Rubio.

Bordi i Paqes, nismë kjo që mban emrin personal të Donald Trump përtej një presidenti amerikan me mandat katërvjeçar, përfshiu edhe Kosovën e Shqipërinë si shtete themeltare të kësaj organizate për zbatimin e planit të paqes në Gaza. Ky Bord pastaj artikulua të synojë zgjerim të veprimtarisë përtej mandatimit fillestar nga Këshilli i Sigurimit, në zgjidhje të konflikteve anembarë botës.

Por, shefi i qeverisë kosovare, ai që mban pushtetin real përtej atij ceremonial të presidentit, Albin Kurti, ende s’është deklaruar se cili është pozicioni i shtetit për këtë Bord. Dje pyetur nga gazetarët, Osmanin s’e pati as në fjalor, por foli për Ministrinë e Mbrojtjes dhe të Brendshme për çështje të trupave paqembajtëse kosovare që pritet të marrin pjesë në Gaza. “Ka shumë hollësi që shumë më tepër merren ministria e jashtme dhe ministria e mbrojtjes”.

“Ministri i Mbrojtjes në mandatin e kaluar dhe nga komandanti i Ushtrisë sonë Gjeneral Bashkim Jashari, nga unë është kërkuar në vitin e kaluar leja për të shkuar në një konferencë në Doha të Katarit lidhur me forcën ndërkombëtare stabilizuese për Gaza. Siç e dini ne i kemi ndarë gjysmë milioni euro për ndihmë në Gaza dhe FSK për shkak të aftësive, kemi qenë të gatshëm të marrim pjesë në këtë Forcë Stabilizuese ndërkombëtare”, tha Kurti

Osmani qëndroi në Uashington në mbledhjen inauguruese mes liderëve botërorë, ndërsa Qeveria e Kosovës, s’i kushtoi po ashtu asnjë fjalë goje në mbledhjen e saj të fundit; ndonëse kjo marrëveshje llogaritet për marrëvehsje ndërkombëtare që duhet të ratifikohet në Kuvend të Kosovës.

Tirana zyrtare e ka ratifikuar marrëveshjen në Kuvend të Shqipërisë, por ka sqaruar se nuk do të paguajë 1 miliard euro për anëtarësi të përhershme, duke theksuar se kontributi i saj është politik dhe dinjitoz, jo financiar. Profesori Blerim Latifi ditë më parë i tha Nacionales se këtë e sheh si rikthim të sferave të influencës dhe argumenton se për kombin shqiptar rreshtimi me SHBA është interes strategjik, pasi siguria kombëtare mbetet e varur nga ombrella amerikane.

Në Kosovë, situata është më e mjegullt. Presidenca e quan anëtarësimin “zhvillimin më të rëndësishëm të viteve të fundit” dhe “moment historik”, duke theksuar se është më mirë të jesh në tryezë sesa në menu. Por Qeveria nuk e ka ratifikuar ende marrëveshjen dhe ka heshtur për çështjen e pagesës. Kryeministri Albin Kurti ka vazhduar të shfaqet i rezervuar, duke e lidhur angazhimin kryesisht me kontributin në Gaza dhe mundësinë që FSK të marrë pjesë në forcë shumëkombëshe stabilizuese. Ai ka theksuar gatishmërinë për të kontribuar “kudo që ka nevojë për paqe”, por pa entuziazmin retorik të Presidencës.

Lajme të ngjashme