Kurti flet për katër vjet qeverisje, nuk harron sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe mediave
Kryeministri Albin Kurti ka folur për punën e qeverisë se tij në këto katër vite.
Në adresimin e tij para kabinetit qeveritar, ai ka bërë me dije se brenda këtij mandati qeveria është takuar të paktën dy herë në muaj, duke i mbajtur gjithsej 254 mbledhje.
Ai ka vlerësuar se qeveria e tij gjatë këtyre katër vite ka arritur rezultate të jashtëzakonshme.
Megjithatë, ai sërish ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese dhe mediat.
“Sot 4 vjet më parë, qeveria jonë që këtë javë mbushi 4 vjet, mbajti mbledhjen e parë të punës aso kohe. Jemi takuar të paktën dy herë në muaj, në gjithësej 254 mbledhje, kemi marrë 2257 vendime. Në ballafaqim me pandeminë, përballë krizave të energjisë e inflacionit nga lufta në Ukrainë, përkundër perngesave e vonesave në Gjykatën Kushtetuese që bllokuan shumë gjëra përfshirë edhe atë të çmimeve tavan, e pavarësisht sulmeve paramilitare të Serbisë, e përmbi zhurmën e madhe të debateve televizive të mbrëmjes, qeveria jonë ka arritur rezultate të jashtëzakonshme”, ka thënë Kurti.
Në fjalimin e tij disa minutësh, shefi i qeveria ka numëruar punët e kabinetit të tij në aspektin e brendshme dhe atë të jashtëm.
Kurti ka merr meritat për procesin e liberalizimit të vizave,
“Me neve edhe lëvizim pa viza në Evropë edhe nuk lëvizë kufiri në veri”, ka thënë ai.
Më pas, ka folur për “shtrirjen e sovranitetit në veri”, duke shtuar se tabela ilegale dhe patentë shoferë ilegalë nuk ka më në atë pjesë.
“Në mandatin që na pret, e që mezi e presim, do të vazhdojmë investimet. Për herë të parë, në katër komunat në veri po paguhet rryma dhe ka filluar të faturohet edhe tatimi në pronë. Tabelat dhe patentë-shoferët ilegalë nuk ekzistojnë më, pasi janë konvertuar. Gjithashtu, për herë të parë pas një kohe shumë të gjatë, kemi pasur rritje të pensioneve”, ka thënë Kurti.
Shefi i ekzekutivit ka folur edhe për qeverisen e tij të brendshme.
“Rreth 70 mijë nëna lehona kanë marrë për herë të parë shtesa nga shteti. Tre herë kemi rritur pagat në sektorin publik, ndërsa pagën minimale në sektorin privat e kemi rritur dy herë, dhe do ta rrisim përsëri në mandatin tjetër. Varfëria është ulur, papunësia është ulur”, ka vlerësuar Kurti.
Në fund të adresimit të tij, ai ka falënderuar anëtaret e kabinetit për punën dhe qytetarët për mbështetjen.
“Të nderuar anëtar të kabinetit, kolegë e bashkëpunëtor, të dashur qytetarë, iu faleminderit për punë e madhe dhe angazhimin e pandërprerë dhe mbështetjen e vazhdueshme. Këto katër vjet të mandatit tonë ja kanë vlejtur fort për Republikën tonë dhe për qytetarët e Republikës”, ka thënë ai, duke falënderuar qytetarët për mbështetje.
“Të dashur qytetar, në veçanti iu jemi mirënjohës për besimin e dhënë. Nuk ka nder e privilegj më të madh se të iu shërbejmë juve qytetarë të dashur të Republikës”, ka thënë Kurti.