Kur e takoi Albin Kurtin për herë të parë? Visar Ymeri flet për të kaluarën e tij - NACIONALE

Kur e takoi Albin Kurtin për herë të parë? Visar Ymeri flet për të kaluarën e tij

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kreu i Institutit për Politika Sociale "Musine Kokalari", Visar Ymeri qe i ftuari i radhës i Intervistës të Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale.

Ky emision është derivat i bashkëpunimit mes Radio Televizionit 21 dhe Nacionales, teksa të njëjtin mund ta ndiqni çdo të hënë në ora 21:30, në televizionin gjegjës dhe në kanalin tonë zyrtar në platformën "Youtube".

Visar Ymeri, tani pjesë e Shoqërisë Civile tregoi shumëçka nga karriera e tij politike.

Rrugëtimi me Vetëvendosjen, njohja me Albinin, takimi i fundit me të, dorëheqja nga pozita e kryetarit të VV-së dhe periudhën pas largimit nga partia që momentalisht drejton shtetin.

Fillimisht ai tregoi se takimin e fundit me kryeministrin Kurti e kishte pak para vitit të ri 2018.

Kurti sapo kishte dalë nga burgu dhe gjërat sipas Ymerit nuk ishin në momentin më të mirë.

Ish-kreu i Lëvizjes tregon momentin kur ia kumtoi lajmin e dorëheqjes nga pozita respektive, ndërsa shtoi se atëbotë nuk ishte i sigurtë nëse do të vazhdonte të ishte edhe më tutje pjesë e VV-së apo jo.

“Po, kam pasë një takim, i fundit me Albinin ka qenë dy ditë para se të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të Vetëvendosjes, ajo ka qenë pak para Vitit të Ri 2018 dhe ishte momenti kur ai doli nga burgu në fund të vitit 2017 dhe kemi pasë bisedë për zhvillimet në Lëvizjen Vetëvendosje, për atë se çfarë mund ta presë Kosovën dhe cilat janë mospajtimet e mia me ato që ndodhnin në VV dhe ia kam kumtu lajmin për dorëheqjen nga posti i kryetarit, ndërsa ende nuk e kisha mendjen nëse do të dilja tërësisht nga Lëvizja".

Veç kësaj, Ymeri shpalosi edhe arsyet. Ai tregoi se në bazë të asaj situate mendonte që largimi nga posti i të parit do të ishte alarm për z.Kurti dhe ndjekësit e tij.

"Unë mendoja që dorëheqja ime nga pozita e kryetarit ia shton një seriozitet pak më të madh atyre problemeve me të cilat ballafaqoheshim, sepse deri atëherë kishte zëra e kështu me radhë, kishin dalë disa kështu komunikime në publik, siç edhe e dini dhe ende kishte një lloj moskuptimi jo vetëm nga publiku po edhe nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje. Pra unë shpresoja që dorëheqja ime është një lloj alarmi për z. Kurti dhe ndjekësit e tij që diçka këtu nuk është në rregull dhe ta trajtojmë seriozisht këtë çështje. Nuk ndodhi ashtu. Ne u detyruam në njëfarë mënyre që të largoheshim nga Lëvizja Vetëvendosje", vazhdoi ai.

Ymeri deklaroi se edhe sot e kësaj dite nuk është pishman që ka qenë pjesë e VV-së dhe se është munduar maksimalisht që të kontribuojë.

"Unë nuk jam pishman që kam qenë pjesë e Lëvizjes. Jam munduar të jap kontributin tim aty sa kam mundu".

Ndërkaq, rreth asaj se si u takua me Kurtin, pohoi se kjo gjë kishte ndodhur në vitin 2004, atëherë kur ishte anëtarësuar në KAN, pararendëse e Lëvizjes Vetëvendosje.

Mes emrave të njohur të VV-së aty i kishte gjetur Kurtin, Sveçlën, Aliun, Konjufcën e Shkëlzen Gashin.

"Unë jam anëtarësuar në KAN në vitin 2004. Në vjeshtën e vitit 2004. Shumë pak kemi qenë atëherë. Dhe pastaj ajo ishte periudha atëherë kur ata që kishin qenë në KAN, kryesisht z.Kurti, Xhelal Sveçla, Liburn Aliu, Glauk Konjufca, Shkëlzen Gashi ka qenë atëherë...kishin filluar diskutimet për ta shndërruar KAN-in në Lëvizje Vetëvendosje dhe unë jam anëtarësuar në mes të këtij diskutimi, dhe pastaj në vitin 2005 është formu të them ashtu Lëvizja Vetëvendosje".

Ymeri komentoi edhe atë se kush e kishte dhënë idenë që t'i vendoset emri.

"Nuk e di kush e ka pagëzu, e di çka më kanë tregu, por unë jam anëtarësuar aty pas këtij momenti, sepse ky ka qenë diskutim shumë i gjatë".

Në pjesën e fundit, deklaroi se arsyeja pse u regjistruan në zgjedhje ishte presioni i partive që veçse ishin në politikë. Pra, për çdo aktivitet merrnin kritika, pse s'po regjistroheni si parti edhe po garojmë.

"Diskutimi për transformim në parti politike, pra në kuptimin e pjesëmarrjes në zgjedhje jo në atë të strukturimit, ka qenë diskutim i gjatë dhe shumëvjeçar. Kryesisht ka qenë diskutim i nxitur nga jashtë. Sepse atëherë në aksionet tona, në veprimet tona, deklarimet tona, vazhdimisht përgjigja ishte nga partitë politike ekzistuese, pse s’po bëheni edhe ju parti politike. Dilni matuni edhe ta shohim. Dhe ne e refuzonim vazhdimisht këtë".

Në pjesën e epërme të tekstit gjeni episodin e plotë, kurse më poshtë atë të zgjeruar këtu.

Lajme të ngjashme