Kundërthëniet e Kurtit për Kushtetuesen: "E mirë" për Asociacionin, "e keqe" kur po ia rrëzon ligjet Qeverisë
Vlerësimi i institucioneve të pavarura nga kryeministri Albin Kurti ndryshon varësisht prej interesave të tij. Një vlerësimi të tillë kundërthënës nuk i ka shpëtuar as Gjykata Kushtetuese.
Kjo gjykatë, muajve të fundit, i ka shërbyer kreut të qeverisë për t`u fshehur për Asociacionin, duke thënë se vetëm ky institucion është kompetent për të vlerësuar nëse draft-statuti i Asociacionit është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Por, mendimi i kryeministrit Kurti për Kushtetuesen ndryshon kur ky institucion i vlerëson si antikushtetuese ligjet e miratuar nga qeveria e tij.
Në këtë rrafsh, Kurti sërish ka adresuar kritika ndaj Gjykatës Kushtetueses, duke thënë se kjo gjykatë po deformon ligjet e hartuara nga Qeveria.
Sot, gjatë takimit të Këshillit për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut, Kurti ka vlerësuar se Kushtetuesja ka ngujuar disa ligje të rëndësishme.
“Një sfidë që e kemi pasur si Qeveri është që reformat tona kanë përfunduar në Gjykatën Kushtetuese. Nga 16 nëntori i vitit të kaluar deri më 2 nëntor të këtij viti, i kemi 10 ligje të rëndësishme të reformës sonë që ose ngelen të ngujuara në Gjykatën Kushtetuese, ose janë rrëzuar apo deformuar aty”, ka thënë Kurti.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Në këtë takim ajo ka thënë se kjo gjykatë në fjalë nuk po i respekton afatet e parapara kohore për shqyrtimin e ligjeve që dërgohen nga Kuvendi për shqyrtim.
“Pra, dy muaj e ka me ligj në anën tjetër për vettingun e presim që 10 muaj, për byron për konfiskimin e pasurisë po ashtu presim që 10 muaj, Këshillin Prokurorial e ka shpallur të pa vlefshëm dhe e kemi pritur 9 muaj. Kjo tregon që Gjykata Kushtetuese nuk është në ndjeshmërinë e njëjtë siç janë qytetarët e Kosovës të cilët mezi presin jetësimin e këtyre formave”, është shprehur Haxhiu.
Fshehja e Kurtit pas Kushtetueses për Asociacionin
Por, qëndrimin tjetër ka kryeministri Kurti për Kushtetuesen kur bëhet fjalë për Asociacionin.
Shefi i Qeverisë këtij institucioni ia ka lënë në duar pataten e nxehtë për shqyrtimin e draft-statutit të Asociacionit, të cilin qeveria e ka pranuar në tetor të këtij viti.
Nga ajo kohë, Kurti vazhdimisht thotë se vlerësimin përfundimtar për draft-statutin do ta japë Gjykata Kushtetuese.
Sipas tij, vetëm kjo gjykatë mund të konstaton nëse dokumenti në fjalë është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Drafti për vetëmenaxhim, që e kanë sjellë, është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe që nëse do të nënshkruhej, aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Gjykata Kushtetuese jep vlerësimin për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje”, ka thënë Kurti në një konferencë për medie, më 27 tetor, një ditë pasi kishte takua liderët e BE-së në Bruksel.
Të njëjtin qëndrim ai e kishte përsëritur edhe në Kuvendin e Kosovës, gjatë debatit parlamentar për draft-statutin.
“Nga një kënd procedural, nuk dua të jap qëndrim juridik për përputhshmërinë e draftit me Kushtetutën. Atë e jep Gjykata Kushtetuese siç e parasheh qartë draft-statuti”, kishte thënë Kurti.