Kunati i Haxhiut i dënuar për ndihmë në vrasje u lejua të punojë në biznesin e vet: A u shkel udhëzimi administrativ? - NACIONALE

Kunati i Haxhiut i dënuar për ndihmë në vrasje u lejua të punojë në biznesin e vet: A u shkel udhëzimi administrativ?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Hazir Krasniqi, vëllai i bashkëshortit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është i dënuar për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje”. Në fund të vitit 2021, ky u transferua nga Qendra e Paraburgimit në Prishtinë, në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë. Disa muaj më vonë, më konkretisht në korrik të këtij viti, i njëjti do të fillonte punë jashtë institucionit, derisa po vuan ende dënimin.

Për këtë çështje, gazeta Nacionale kishte raportuar edhe muaj më parë. Megjithatë, mundësia që Krasniqi të punojë duket se nuk ka qenë tërësisht në përputhje me rregullat e ligjin.

Kjo pasi kunati i ministres së Drejtësisë ishte lejuar të punojë në biznesin “Ola Shpk” në Carralukë të Malishevës. Nacionale kishte raportuar se në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, pronar i këtij biznesi dilte vetë Hazir Krasniqi.

Megjithatë, në bazë të një Udhëzimi Administrativ që është në fuqi e që flet për punën e të burgosurve jashtë institucionit, nuk lejohet që i burgosuri të punojë në biznesin e familjarëve apo të kolegëve. Që nënkupton, aq më pak nëse biznesi është i vet të burgosurit.

Neni 10 i këtij Udhëzimi Administrativ flet për rrethanat për dhënie të lejes për punë. Pika 1.7 e këtij neni tregon që një i burgosur nuk mund të punojë në një vend të punës që organizohet nga familjarët.

“Vendi i punës duhet të jetë i ligjshëm dhe jo i organizuar nga familjarët dhe kolegët e të dënuarit sa për t’i krijuar rrethanat të cilat i mundësojnë të dalë jashtë Institucionit Korrektues”, thuhet në këtë Udhëzim Administrativ, raporton Nacionale.

Kjo po del se nuk është në përputhje tërësisht me deklaratën e drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sami Gashi, i cili për Nacionalen kishte thënë se janë respektuar të gjitha rregullat.

“I dënuari, H.K, ka filluar punën jashtë institucionit më datë 28.7.2022 bazuar në Udhëzimin Administrativ të vitit 2019 për punë jashtë institucionit bazuar në rregullat dhe kriteret e përcaktuara sipas ligjit në fuqi. Po ashtu, është një nga të dënuarit më të diciplinuar dhe më të sjellshëm në burgun e Smrekonicës, si dhe është shfrytëzues i shumëfishtë i beneficionit vikend në shtëpi.” - tha ai.

Për krejt këtë çështje, Nacionale kishte kontaktuar edhe me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila shkurt na tha: “Këto nuk janë kompetencë e imja”.

Privilegjet e kunatit të Haxhiut

Skender Limaj kishte mbetur i vdekur në vitin 2011, pasi që siç raportohej, Emin Krasniqi kishte shtënë me armë ndaj tij në një restorant të Banjës së Malishevës.

Në vitin 2020, Gjykata Themelore kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj Emin Krasniqit, Astrit Krasniqit, Durim Krasniqit dhe Hazir Krasniqit, në lidhje me rastin e përmendur më lartë.

Ky i fundit, në këtë rast akuzohej për ndihmë në vrasjen e rëndë.

Burime të gazetës Nacionale kishin bërë të ditur se Krasniqi, familjari i ministres Haxhiu, është transferuar nga Qendra e Paraburgimit në Prishtinë, në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë.

I njëjti burim, ka thënë se kjo ka ndodhur pa procedurat e nevojshme, gjë të cilën na e mohoi drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sami Gashi.

“Ju siguroj, se asnjë i burgosur, pavarësisht se kush është, nuk mund të kalojë pa iu nënshtruar procedurave të vlerësimit dhe kritereve të cilat SHKK i aplikon për të gjithë të burgosurit pa dallim.” - ka thënë ai për Nacionalen.

Nacionale e kishte siguruar lejën për punë jashtë institucionit, në këtë rast Qendrës Korrektuese në Smrekonicë, dhënë për Hazir Krasniqin.

Siç thuhet aty, Krasniqi punon për pesë ditë në javë, nga 8 orë. I njëjti, del nga qendra në orën 07:00 dhe kthehet në 17:00, pra pasdite.

Orari i punës, është nga ora 08:00, deri në orën 16:00.

Veprimtaria e “Ola Shpk” është tregti me shumicë e kafesë, çajit, kakaos dhe erëzave, tregti me shumicë e sheqerit, qokollatës dhe emëlsirave, si dhe tregti me shumicë e pijeve.

Se Krasniqi është i punësuar, e kishte konfirmuar edhe drejtori i SHKK-së, Sami Gashi, i cili mes tjerash, e ka cilësuar atë edhe si një prej të dënuarve “më të diciplinuar dhe më të sjellshëm”.

Lajme të ngjashme