Kuleba thotë se Ukraina do të mbajë në mend se kush e ka përkrahur - NACIONALE

Kuleba thotë se Ukraina do të mbajë në mend se kush e ka përkrahur

1 javë më parë

nga NACIONALE

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka thënë se shtetet që e kanë “keqtrajtuar” vendin e tij, do të mbahen përgjegjëse pas përfundimit të luftës.

Në një intervistë për televizionin BBC, ai tha se zgjedhja e secilit vend pas fillimit të pushtimit rus “do të merret parasysh për ndërtimin e marrëdhënieve të ardhshme”.

Ai paralajmëroi, gjithashtu, se vonimi i dërgimit të armëve perëndimore në Ukrainë do të kushtojë me jetë të njerëzve në këtë shtet.

“Nëse një dërgesë shtyhet për një ditë, kjo do të thotë se dikush do të vdes në vijën e frontit”- tha kryediplomati ukrainas.

Kuleba bëri të qartë se vendet që kanë dështuar që ta përkrahin Ukrainën tani, do të paguajnë një çmim në të ardhmen.

“Nëse ndokush në botë mendon se mënyra se si ky ose ai shtet është sjellë ose si e ka trajtuar Ukrainën në momentin më të errët të historisë së saj, nuk do të merret parasysh në ndërtimin e marrëdhënieve të ardhshme, këta njerëz thjesht nuk dinë se si funksionon diplomacia. Lufta është kohë kur duhet të bësh një zgjedhje dhe çdo zgjedhje është regjistruar”- tha ai.

Kuleba shtoi se aleatët perëndimorë nuk po i japin Ukrainës përkrahje ushtarake mjaftueshëm shpejt, sepse ata nuk kanë qenë të gatshëm për një konflikt të nivelit të njëjtë me Luftën e Parë Botërore.

Sipas tij, nuk ka shenja që Rusia është e gatshme për të biseduar për përfundimin e luftës, por shtoi: “Çdo luftë përfundon në tavolinën e bisedimeve... por qëllimi im si ministër i Jashtëm është që të sigurohem që Ukraina ta arrijë tavolinën pas një suksesi përcaktues në fushën e betejës.”

Kuleba tha se presidenti Volodymyr Zelensky është i gatshëm për të zhvilluar një bisedë telefonike me homologun kinez, Xi Jinping. “Nuk mendoj se Kina e ka arritur momentin tani... kur është e gatshme për ta armatosur Rusinë”- tha ai.

Lajme të ngjashme