Kujtimet e Albright për Thaçin e Rugovën: I pari kokëfortë e entuziast, i dyti ekscentrik akademik - NACIONALE

Kujtimet e Albright për Thaçin e Rugovën: I pari kokëfortë e entuziast, i dyti ekscentrik akademik

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-sekretarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeline Albright, e cila ndërroi jetë sot në moshën 84 vjeçare, ishte ndër përkraheset më të mëdha të luftës së shqiptarëve për çlirim.

Madje bombardimi i NATO-së ndaj ish-Jugosllavisë, nga mediet u cilësua si lufta e Albrightit.

E ish-shefja e diplomacisë amerikane kishte një rol qendror të arritjen e Marrëveshjes së Rambujesë, teksa prapaskenat e negociatave ajo i ka shpjeguar në kujtimet e saj.

Në librin “Madam Secretary”, ish-sekretarja e parë grua thoshte se Thaçi si shef i delegacionit shqiptar në Rambuje ishte shumë kokëfortë, ndërsa ish presidenti Ibrahim Rugova i ngjasonte me një akademik.

“Pas takimit të përgjithshëm, u takova veçmas me Thaçin në një dhomë të ftohtë bodrumi. Aty dhe në takimet e radhës, më bënte përshtypje mosha e re dhe mungesa e tij e përvojës, që dukej se e bënte edhe kokëfortë edhe entuziast për t’i kënaqur të tjerët. Me Rugovën isha ndier sikur po i adresohesha një kolegu ekscentrik akademik. Thaçi ishte më shumë si një student me potencial brilant dhe një tendencë për t’i sjellë detyrat me vonesë”, shkruante Albright, transmeton Gazeta Nacionale.

Tutje ajo thoshte se çarmatosja e UÇK-së do të ishte e papranueshme për ish-liderin politik të guerilës më të sukesshme në histori të shqiptarëve.

“Nën marrëveshjen tonë, UCK do të çarmatosej dhe të pushonte çfarëdo roli të pavarur ushtarak. E dija që kjo nuk do të ishte lehtë e pranueshme për Thaçin, përkundër premtimit të NATO-së që ta mbushnin vakumin e sigurisë. Atë pasdite të parë, e inkurajova të mendonte për organizata të tjera ushtarake që kishin transformuar vetveten në parti politike. Thaçi u përgjigj se priste që delegacioni shqiptar ta nënshkruante marrëveshjen por që do të merrte kohë që guerilët të përshtateshin. Duke u munduar ta mbaj parashikimin e Thaçit i thashë ‘jam e kënaqur me përkushtimin tënd për të nënshkruar’. ‘Besoj se një marrëveshje mund të arrihet por nuk varet vetëm nga unë, apo UCK-ja, apo edhe delegacioni. Mund të ketë vështirësi’, më tha”, kujtonte vite më parë Albright.

Por, Thaçi si udhëheqës i delegacionit shqiptar në negociatat e Rambujesë, nuk po pranonte marrëveshjen kornizë të propozuar nga Perëndimi, teksa tregon për atë se çfraë bënin liderët e tjerë si Rugova, Rexhep Qosja e Veton Surroi.

“Ata kishin premtuar të përgjigjeshin pozitivisht, por kur erdhi momenti, Thaçi nuk dha përgjigje direkte. Kjo i hapi rrugë ministrit të jashtëm italian Lamberto Dinit, që gjithmonë kishte qenë kritik i madh i UCK-së. Ai i bënte presion Thaçit jo vetëm që ta pranonte kornizën por edhe ta tërhiqte mbështetjen ndaj referendumit për pavarësi. Kjo ishte e padrejtë. Propozimi që e kishim zhvilluar u kërkonte kosovarëve ta shtynin, por jo ta braktisnin, aspiratën e tyre për pavarësi. Përsëri Dini shtynte Thaçin të përgjigjej me po ose jo në atë që për Thaçin ishte propozim i papranueshëm. Si rezultat, Thaçi as nuk e përkrahu kornizën dhe as nuk dha përgjigje direkte. Delegatët e tjerë të tij – Surroi, Rugova e Qosja – ishin ulur si cung, Surroi sepse nuk mendonte që i takonte të fliste, Rugova sepse e kishte ‘stil’ dhe Qosja sepse mendonte se Thaçi po e bënte gjënë e duhur”, rikujtonte ish-sekretarja.

Përkundër progresit në negociata, Thaçi, sipas Albright, nuk po thyhej në kundërshtimin e tij.

“E shtuna duhej të ishte dita e fundit e bisedimeve, por u pajtuam për tri ditë shtesë. Teksti nuk ishte as gati i kryer dhe na duhej kohë t’i ndryshonim votat. Thaçi nuk ishte anëtari i vetëm i delegacionit të tij që kishte rezerva. Për shkak të kohës që kishim kaluar duke u munduar t’i bindnim serbët, shqiptarët kishin nisur të mos ndiheshin rehat. Ata po dëgjonin njerëzit nga jashtë që u thoshin të mos u besonin as evropianëve e as neve. Brengoseshin që gjuha që po u thuhej ta pranonin do të ishte barrierë e përhershme për pavarësinë. Kishin hezitime edhe për çarmatosjen. Rezultati ishte progres. Kur filluam të shtunën në mbrëmje, nëntë anëtarë kishin votuar kundër. Të hënën vetëm Thaçi vazhdonte kundërshtimin. Ai përbënte problem të veçantë sepse ishte vështirë ta angazhoje në specifika. Lideri i UCK-së kishte parë Jamie Rubin tek denonconte Milloshevicin në televizion dhe kishin ndërtuar një miqësi mes vete. Tash Thaçi i kishte thënë Jamie-t se frikësohej për jetën e tij”, shkruante Albright, që ndërroi jetë në moshën 84 vjeçare.

Kujtojmë që Albright ishte përkrahese e madhe e Kosovës, lidhjen me të cilën nuk e harroi deri në fund të jetës së saj.

Lajme të ngjashme