Kujdes kur kryeni pagesa – gati 1 mijë euro të falsifikuara qarkulluan brenda ditës në Prishtinë
Ditëve të fundit në raportet e Policisë së Kosovës, vërehet një shtim i numrit të rasteve të raportuara për falsifikim të parave. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, në pesë raste të ndara janë evidentuar gati 1 mijë euro fals.
Katër raste janë raportuar në Prishtinë, e një tjetër në Podujevë. Madje në rrugën “Robert Doll”, në të njëjtin market, katër persona radhazi kanë bërë pagesa me monedha 100 euro të falsifikuara.
“Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se në katër pika të ndryshme të marketit ku ai është menaxher, katër persona të dyshuar kanë blerë gjësende dhe pagesën e kanë bërë me kartëmonedha prej 100 €, të cila dyshohet të jenë e falsifikuar. Kartëmonedhat (5x100 €) janë sekuestruar për ekzaminim dhe procedura të mëtutjeshme hetimore. Rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin e Policisë.
Në rrugën “Ukshin Hoti” në kryqytet, gjithashtu janë raportuar dy raste identitike, me monedha të njëjta, 100 euro.
“Rr. Ukshin Hoti, Prishtinë, 18.03.2022-15:30. Ankuesja femër kosovare, zyrtare në filialin bankar, ka raportuar se gjatë numërimit të një shume parash ka hasur në një kartëmonedhë prej 100€ që dyshohet se mund të jetë e falsifikuar. Kartëmonedha është sekuestruar për ekzaminim dhe procedura të mëtutjeshme hetimore. Rasti vazhdon të hetohet”, bën të ditur Policia.
“Rr. Ukshin Hoti, Prishtinë, 18.03.2022-15:30. Ankuesja femër kosovare, zyrtare në filialin bankar, ka raportuar se gjatë numërimit të një shume parash ka hasur në një kartëmonedhë prej 100€ që dyshohet se mund të jetë e falsifikuar. Kartëmonedha është sekuestruar për ekzaminim dhe procedura të mëtutjeshme hetimore. Rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raport.
Rast i ngjashëm është raportuar në rrugën “Fadil Vata” në Prishtinë dhe në fshatin Lluzhan të Podujevës.
“Rr. Fadil Vata, Prishtinë, 10.03.2022 – 14:17. Me 18.03.2022 ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se në marketin ku punon, një i dyshuar ka bërë pagesën me një kartëmonedhë prej 100 € e cila dyshohet të jetë e falsifikuar. Kartëmonedha është sekuestruar për ekzaminim dhe procedura të mëtutjeshme hetimore. Rasti vazhdon të hetohet”, njofton Policia.
“Fsh. Lluzhan, Podujevë, 15.03.2022 – 14:17. Me 18.03.2022 ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se në marketin ku ai është menaxher, ka hasur në një kartëmonedhë prej 100 € e cila dyshohet të jetë e falsifikuar. Kartëmonedha është sekuestruar për ekzaminim dhe procedura të mëtutjeshme hetimore. Rasti vazhdon të hetohet”, bëhet e ditur në raport.
Rritja e numrit të parave të falsifikuara që po qarkullojnë në treg, vërehet edhe në raportet e tjera të Policisë. Në raportin e djeshëm, janë raportuar tri raste të tilla.