Ku janë ‘20 mijë’ të faturuarit për energjinë në veri? Beatrisa s’e gjen asnjë - NACIONALE

Ku janë ‘20 mijë’ të faturuarit për energjinë në veri? Beatrisa s’e gjen asnjë

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Me të nisur viti Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e jepte për të punë të kryer se tashmë kishte nisur njehësimi i energjisë së shpenzuar elektrike në veri dhe se njëjtë sikurse në mbarë Kosovës edhe veriu, që kaherë kishte qenë përjashtimi, do të niste të paguante rrymën.

Duke u thirrur në konkludimin e Marrëveshjes për Energjinë të dialoguar në Bruksel dhe me licensimin e kompanisë shtetërore serbe “Elektroserver” nga Zyra e Rregullatorit për Energjinë (ZRrE), si dhe deklarimet me bindjen më të plotë që kishte nisur të bënte KOSTT-i, kjo çështje tashmë jepej si e përfunduar.

Kryeshefit të KOSTT-it, Evetar Zeqiri, shprehej se energjia e konsumuar në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, do të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të shtetit.

Më 1 janar 2024, duke filluar nga 00:01, furnizuesi Elektrosever Sh.p.k, - kompani e licencuar dhe e regjistruar sipas ligjeve të Republikës së Kosovës - ka filluar të nominojë energjinë për katër komunat e veriut. Pra ka filluar të marrë përgjegjësinë për konsumin e energjisë në veri. Pas më shumë se 20 vjetësh, energjia e konsumuar në pjesën veriore do të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të territorit të vendit”, shkroi ai në Facebook.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, njoftonte javë më parë se 12 milionë euro do t’u merren katër komunave të banuara me shumicë serbe për të paguar disa nga detyrimet që këto zona i kanë për mospagesë të energjisë elektrike. Këto para, sipas Murtatit, do t’u merreshin nga Fondi Zhvillimor i Mirëbesimit.

Paratë e këtyre katër komunave veriore do të përdoren për të shlyer një pjesë të borxhit ndaj KOSTT-it më konkretisht kontributi i secilës komunë me shlyerjen e një pjese të borxhit të rrymës së devijuar dhe papaguar është si vijon: Mitrovica e Veriut 6.5 milionë euro, Zveçani 1.1 milion euro, Zubin Potoku 1.6 milion euro, Leposaviqi 2.6 milionë euro”, ka thënë Murati.

Ndërsa kryenegociatori Besnik Bislimi, në dritën e kësaj pretendoi se “20 mijë fatura” janë shpërndarë në veri.

Por se kujt i janë shpërndarë këto “20 mijë fatura” fantazmë, kush-gjë-nuk-di.

Gazetarja e Nacionales, Beatrisa Culaj është nisur në Mitrovicë të Veriut të gjejë frymë të gjallë që paguan rrymë, apo një nga këta 20 mijë të faturuar – por, asgjë, askund, zero.

Lajme të ngjashme