Ku i mbeti pacifizmi Rron Gjinovcit? Dikur kundër ushtrisë, tash kërkon të bëhemi gati për luftë
Ndonëse krejt margjinal, pacifizmi është një teori e etabluar kundër luftës. Megjithatë, së paku, një ithtar publik i kësaj teorie, që e kundërshtonte luftën e konceptin e ushtrisë, ekzistonte edhe në Prishtinë. Kosovari që e përkrahte këtë ide ishte Rron Gjinovci i vitit 2021, pasi Gjinovci i vitit 2024 është tashmë një “skifter luftarak”. Ku mbeti pacifizmi i Rron Gjinovcit?
Ishte 5 shkurti i vitit 2021, kur analisti Gjinovci e proklamoi botërisht bindjen e tij prej pacifisti. Në studion e Pressingut të T7, Gjinovci u deklarua kategorikisht kundër çdo ushtrie e kundër çdo arme, duke e bërë atë pjesë të lëvizjes globale që e kundërshton luftën.
Ndonëse pak sekonda më herët e theksonte nevojën për blerjen e dronëve, Gjinovci u deklarua se është kundër çdo ushtrie. Në terma ushtarakë, ndryshimi i mendimit të Gjinovcit ishte “supersonik”.
“Qeverisë tonë nëse veç po ju duhet ushtria, edhe pse unë jam kundër çdo ushtrie dhe kundër çdo armeje në botë, s’ka nevojë bota për armë, po nëse veç ju duhet juve një ushtri çoni ata të rinj, le të mësojnë robotikë në Gjermani. Ngo, ngo, t’ua japë zgjidhjen juve që jeni të fascinuar me armë dhe me lufta. Nëse veç po doni, nuk po du me dëgju (i drejtohet analistit Jusuf Thaçit v.j.), me prish ju rininë t’u kallxu qysh duhet me i ngu baballarët që nuk i kanë as të shkolluar, as kurgjo, e me ju ngu juve këtu që jeni konservatorë. Nëse juve ju duhet ushtria, çoni robotikën le ta kryjnë në Gjermani, le të marojnë robota për me luftu, jo njerëz. A jeni ju normal?” – deklaronte Gjinovci në vitin 2021 në “Pressing” të T7, transmeton Nacionale.
Por ndryshimi i studios duket ta ketë ndryshuar edhe mendimin e Gjinovcit, pasi “pacifizmi” i Gjinovcti ka mbetur prapa në “Pressing” të T7. Tash, në studion e “Konfront”-it në KTV, Gjinovci është një njeri që kërkon armatim, sa më shumë armatim.
Nga një pacifist që etikisht e kundërshtonte ushtrinë, tash Gjinovci është shndërruar në një “skifter” të denjë për të qenë pjesë e kompleksit industrial-ushtarak në ShBA, për rrezikun e të cilit kishte paralajmëruar ish-presidenti amerikan, Dwight D. Eisenhower.
Mbrëmë Gjinovci e kundërshtoi politikën e mbështetjes së sigurisë te KFOR-i dhe NATO-ja, duke e denoncuar si “provincializëm politik”. Pasi e kundërshtoi “provincializmin politik”, ish-pacifisti Gjinovci kërkoi blerje të armatimit të rëndë për ushtrinë e Kosovës.
“Me rëndësi është me ble armë, me rëndësi është me ble drona, “Javelin”-a, edhe ndonjë tenkë, edhe ndonjë helikopter, edhe me kanë gati për me luftu, se sa për KFOR-in, NATO-n, edhe për patriotat e kësaj (Dafin Demakut v.j.), që kanë nejtë më shumë me Listën Serbe sesa që kanë luftu, këtu na hyjnë dhe na folim serbish mandej në emision” – deklaroi ai.
Pra, Gjinovci e ka kapërcyer Rubikonin (jo emisionin e Adratik Kelmendit), duke e bërë ndryshimin e madh. Nga “jam kundër çdo ushtrie e arme” në “bleni armatim”.
* Gazeta Nacionale i kërkon autorit të emisionit “Pressing”, Leonard Kërquki, që të ketë kujdes gjatë ecjes në studion e "Pressing"-ut, ngase mund ta shkelë mendimin pacifist të Gjinovcit, që duket se ka mbetur diku në ndonjë kthinë të televizionit T7.