Ku është presidentja? Osmani ende s’flet për vërshimet në Kosovë - NACIONALE

Ku është presidentja? Osmani ende s’flet për vërshimet në Kosovë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Vërshimet në Skenderaj, Klinë, Gjakovë, Pejë, Podujevë, Istog e Mitrovicë tashmë kanë mbushur portalet e mediet e tjera, të cilat po vazhdojnë të raportojnë për situatën e rënduar. Por për këtë çështje ende s’ka folur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Përveç mosdeklarimit, ajo ende nuk ka vizituar as vendet e prekura nga vërshimet.

Ajo nuk ka postuar ende asnjë fjalë të vetme në lidhje me vërshimet, përkundër që tashmë në Skenderaj është shpallur gjendje emergjente. Shefja e shtetit nuk ka shkruar ndonjë fjalë as në profilin e saj në Facebook, as në Twitter. Ajo në Facebook së fundmi ka postuar më 17 janar.

As faqja e Presidencës së Kosovës në Faceboo nuk ka postuar në lidhje me situatën emergjente. Postimi i fundit në këtë faqe është takimi lamtumirës i Osmanit me ambasadorin turk në Kosovë.

Ndërsa në Twitter, Osmani ka postuar një shkrim në lidhje me kryeministren e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, duke e lavdëruar për kontributin e saj.

Për dallim nga Osmani, kryeminsitri Albin Kurti tashmë është në terren. Ai që në mëngjes doli në terren, më saktësisht në Istog, ku shkoi bashkë me ministrat Armend Mehaj dhe Elbert Krasniqi, e u prit nga kryetari i komunës, Ilir Ferati.

"Bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe atë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, vizituam rreth 20 pjesëtarë të FSK-së të cilët me kamion ushtarak dhe barkë lundruese, po e bëjnë të pamundurën që t’iu dalin në ndihmë banorëve të fshatit Drejë, në Istog. Aty, te "Ura në Drejë", mbi lumin Kujavç, na priti kryetari i komunës Ilir Ferati i cili na njoftoi me gjendjen e vështirë dje dhe sot. Më pas shkuam bashkë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare ku vizituam dy familje të evakuara nga Zallqi: Arton dhe Luljeta Jahajn me katër fëmijë të vegjël, dhe, Avdi e Floreta Jahajn me dy fëmijë të vegjël. Përveç dëmeve të konsiderueshme materiale nuk kemi qytetarë të vdekur e as të lënduar. Edhe Klina, Peja e Gjakova, sikurse edhe Mitrovica, Skenderaj e Podujeva kanë pësuar dëme." - shkroi Kurti në Facebook.

Situata në terren

Të reshurat e dendura të shiut në dy ditët e fundit kanë shkaktuar vërshime në disa pjesë të Kosovës. Rajoni i Dukagjinit është më i prekuri nga këto vërshime. Më saktësisht, Istogu, Klina, Mitrovica e Skenderaj janë katër qytetet ku ka pasur më së shumti problem me vërshime.

Në pamjet nga terreni, një ditë pasë shihen dëmet që ka lënë pasë shiu i rrëmbyeshëm i 19 janarit në Skenderaj. Qendra e këtij qytetit në Kosovën qendrore do të ketë nevojë për rinovim, pasi trotuari tashmë është prishur shumë. Përveç trotuareve, edhe qytetarët kanë pësuar në pronat e tyre private.

Disa objekte janë dëmtuar, por edhe veturat e parkuara në qytet nuk kanë shpëtuar lehtë. Në fotografitë e relizuara nga fotografi i Nacionales, Visar Kadrolli, shihen disa vetura që kanë pësuar dëmtime.

E një ditë pasi u shpëtua një grua në Llaushë të Skenderajt, Nacionale ka vizituar terrenin ku ndodhi akti heroik i dy zyrtarëve të komunës së Skenderajt. Aty shihen dëmet që kanë shkaktuar vërshimet, me një shtëpi pranë të rrëzuar tërësisht. Një kronikë më të detajuar për këtë çështje, të përgatitur nga gazetar Festim Gërguri, do të mund ta lexoni e shikoni më vonë.

Edhe Mitrovica është zgjuar me shumë dëme. Një ditë pasë, vërehen problemet e shkaktuar nga shiu i rrëmbyeshëm i natës së 19 dhjetorit.

“Dëmet janë jashtëzakonisht të lartë, po flasim për qindra familje që janë detyruar të kalojnë natën e tyre tek familjarët e tyre. Është si gjithmonë një solidaritet i njerëzve. Dhe sot do të shikojmë dhe do të evidentojmë çdo familje, gjendjen ku e ka, ku është e vendosur, a kanë nevojë për qera dhe sigurisht që të ju qëndrojmë afër. Kemi qenë në komunikim, tre ministra kanë qenë dje në Mitrovicë, ai i MAPL-së Elbert Krasniqi, ministri i MPB-së Xhelal Svecla dhe ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj.”, - deklaroi Bedri Hamza, kryetar i Mitrovicës së Jugut.

Lajme të ngjashme