Kryetari i Supremes: Dispozitat e Kushtetutës e thonë qartë që nuk mund të ushtrohen dy funksione në të njëjtën kohë
Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, ka komentuar vendimin ku u konstatua se nuk mund të mbahet edhe pozita e deputetit edhe e ministrit nga i njëjti person.
Kjo lidhur me Udhëzimin Administrativ të Hekuran Muratit.
Ai tha se dispozitat e Kushtetutës e thonë qartë që nuk mund të ushtrohen dy funksione në të njëjtën kohë.
Pra, më 15 korrik 2025, Gjykata Supreme vendosi se UA i Ministrisë së Financave ishte nxjerrë në mënyrë të paligjshme, pasi u nënshkrua nga një person që në atë kohë ishte edhe deputet, edhe ministër në detyrë.
“Realisht, ai vendim i Gjykatës Supreme është mendu mirë. Nuk është që ka qenë një vendim aksidental. Gjykata Supreme niset prej parimit të zbatimit të Kushtetutës në rend të parë. Dispozitat e Kushtetutës e thonë qartë, se nuk mund të ushtrohen dy funksione në të njëjtën kohë”, u shpreh Rexhepi në emisionin ‘Tempus’
Ai shtoi se vendimi i Gjykatës Supreme e ka bazueshmërinë në dispozitat e Kushtetutës, andaj ky vendim nuk ka asnjë dilemë nëse duhet zbatuar.