Kryetari i Listës Serbe pretendon se ura nuk do të hapet: Serbët i mbron Vuçiqi
Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Elek, ka thënë se janë kundër hapjes së Urës së Ibrit.
Sipas tij, “qëllimi i Kurtit është shtypja e popullit serb”.
Elek ka deklaruar për tabloidin në shërbim të regjimit aktual serb, “Veçernje Novosti” se Kurti “ka dhënë udhëzime të qarta për bashkëpunëtorët e tij – që gjysma e serbëve të arrestohen e gjysma tjetër të dëbohen”.
“Me 15 për qind më pak serbë, Kurti nuk është i kënaqur me atë që është bërë dhe në fund të mandatit të tij, në fillim të fushatës, ai dëshiron vetëm të persekutojë “popullin serb” ose siç thuhet në dokumentet strategjike të partisë së tij, të zgjidh çështjen e veriut”, ka pretenduar kryetari i Listës Serbe.
Ai ka thënë se në protestën e fundit “populli serb” i tha qartë “jo” hapjes së urës, e cila është simbol i “vuajtjeve të popullit serb” në 25 vjetët e kaluara.
“KFOR-i dhe EULEX-i nuk duhet të jenë vëzhgues të heshtur derisa Kurti realizon ëndrrën për Kosovën mono-etnike. Në takimet që kemi pasur si përfaqësues politikë serbë me përfaqësues të huaj, kemi paralajmëruar për këtë zhvillim. E kemi përsëritur se me mosveprimin e tyre “populli serb” i sheh ata si bashkëfajtor në të keqen që po bën Kurti”, ka pretenduar ai.