Kryetari i Komunës së Junikut shpreh ngushëllime për çiftin që vdiq tragjikisht
Kryetari i komunës së Junikut, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e çiftit në bjeshkët e Junikut – Mic Tofaj dhe Fatlinda Maloku Tofaj.
“Me dhimbje të thellë e pranuam sot lajmin tragjik për humbjen e parakohshme të Mic Tofaj dhe bashkëshortes së tij Fatlinda Maloku Tofaj.
Ngushëllime familjes Tofaj dhe familjes Maloku për humbjen e papritur të më të dashurve të tyre.
Micin dhe Fatlindën, Juniku do t'i kujtoj përgjithmonë si familje shembullore, mbi të gjitha si persona me virtyte të larta njerëzore por edhe si ndërmarrës të suksesshëm dhe junikas të cilët kanë kontribuar aq shumë për Komunën e Junikut.” – ka shkruar ai.
Ndryshe, sipas dyshimeve të para vdekja ka ardhur si pasojë e shpërthimit të një bombole të gazit.
Lajmin për Nacionalen e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.
“Janë dy trupa të pajetë që janë gjetur në një shtëpi banimi në Bjeshkët e Junikut. Prokurori i krimeve të rënda është duke shkuar në vend të ngjarjes. Njësitet relevante policore do bëjnë hetim rreth shkakut të vdekjes së tyre. Dy trupat e pajetë do të dërgohen për autopsi në Mjekësinë Ligjore”, ka thënë Nikçi.