Kritikat e Bislimit për Kushtetuesen nga “Radio Gorazdevaci” shokojnë opozitën: Rendi kushtetues në rrezik
Kritikat e zëvendëskryeministrit Besnik Bilimi për Gjykatën Kushtetuese nga “Radio Gorazdevacit” kanë shokuar subjektet politike opozitare.
Cilësimet për Kushtetuesen si institucion jo kredibil dhe i korruptuar janë konsideruar si të papranueshme nga opozita.
Këto sulme brutale nga numri dy i qeverisë, sipas zyrtarëve të opozitës, tregojnë se sistemi kushtetuese është në rrezik.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë me dije se një qasje e tillë e qeverisë është alarmante.
“Deklarata e Besnik Bislimit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhënë “Radio Gorazdevacit” do të mund të quhej skandaloze nëse Besniku do të ishte vetëm një qytetar pa funksion publik i republikës sonë. Por, kur një ZVKM në detyrë shprehet me gjuhë të tillë kundër gardianit të Kushtetutës, është alarmante dhe e rrezikshme. Demokracia dhe rendi kushtetues janë në rrezik nga prirjet rrënuese dhe totalitare të kësaj klase qeverisëse”, ka shkruar Çitaku në profilin e saj në “Facebook”.
I ashpër ndaj Bislimit ka qenë edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.
Ai ka vlerësuar se nuk mund të quhet si jo kredibil një institucion që ka rrezuar dy presidentë dhe një qeveri.
“Një eksponent i VV-së dhe i emëruar i Qeverisë paska bërë kualifikime të rënda për Gjykatën Kushtetuese. Kredibiliteti i kësaj Gjykate është aq i lartë sa ka rrëzuar dy presidentë nga zyra dhe një qeverie ia ka mbyll mandatin pas gjashtë muajsh. Bash kjo Gjykatë, me vendimin e saj, ka krijuar ambient që VV t’i fitojë zgjedhjet. Gjykatësi që e solli këtë vendim është këshilltar i madh te Presidentja Osmani – Sadriu”, ka shkruar Haziri, duke thënë se në këtë mënyrë Bislimi kurrë nuk do të bëhet burrështetas.
“Jeni kontravers dhe mos mbajtes të fjalës e premtimit dhe kurrë nuk bëheni burrështetas kështu. Per qytetarët po shkaktoni pasiguri juridike, ndërsa për institucionin, po tregoheni mos respektues e besa edhe mosmirënjohes që ju hapën udhë!”, ka shkruar ai.
Ndërsa, deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, zëvendëskryeministrit i është referuar si përhumbes.
“Kosova ishte me fat që liria, pavarësia e demokracia e saj u orientuan nga personalitete politike që Kosovën e shihnin të përhershme, e demokracinë e saj të pakompromis. Fat në fatkeqësi, që disa nga ta sot nuk e përjetojnë shkëputjen shpirtërore e intelektuale të disa krerëve shtetërore me idealet e dikurshme. Janë rastet si kjo kur nuk mund t’i gëzohesh përhumbjes së oponentit tënd politik”, ka shkruar ajo.
Kritikat e ashpra të Bislimit ndaj Kushtetueses
Njeriu i dytë i Qeverisë ka drejtuar akuzua ndaj Gjykatës Kushtetuese si askush më parë.
Në një intervistë për një media serbe “Radio Gorazdevac”, Besnik Bilsimi Gjykatën Kushtetuese e ka quajtur “jo kredibilë” dhe “jo kompetentë”.
“Gjykata jonë Kushtetuese është e njohur në prodhimin e dokumenteve/vendimeve kontraverze; dhe këtë e shohim në baza ditore sepse besojmë që atyre u mungon kompetenca dhe kredibiliteti. Dhe ky s’është i vetmi vendim i kushtetues që s’ka mundur të gjejë zbatim”, ka thënë Besnik Bislimi.
Duke i arsyetuar kritikat e tij nda Kushtetueses, Bislimi ka thënë Qeveria Kurti i ka fituar zgjedhjet me premtim për “Drejtësi”.
“Pra, kurdo që Qeveria beson se po i keqshërbejnë drejtësisë atëherë është e vështirë të veprojmë në pajtim me këso vendime. Është vështirë të veprojmë në bazë të tyre. Nuk është se po i mohojmë”, ka thënë ai, duke drejtuar kritika edhe më të ashpra ndaj këtij institucioni.
“Por, nëse puna ime, nëse premtimi im ndaj qytetarëve është që t’u jap drejtësi – kur e dimë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese është produkt i një mjedisi të korruptuar – më e pakta që mund të bëjë është të them se ky vendim, në mendimin tim nuk është produkt i një institucioni kredibil”, ka thënë Bislimi.
Besnik Bislimi nuk është zyrtari i vetëm i Qeverisë Kurti që ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese. Të njëjtën gjë e kanë bërë edhe kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Kritikat ndaj gardianes së Kushtetues së Kosova kanë adresuar edhe deputetë dhe zyrtarë tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje.