Kritika, ironi dhe një fotografi e montuar: Si u komentua udhëtimi i Kurtit në Shqipëri për futboll?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së paku dje, e konsideroi më të rëndësishëm ndeshjen futbollistike të Shqipërisë sesa atë kombëtarës së Kosovës. Kurti udhëtoi në Shqipëri, nën shoqërimin e Lulzim Jasharit, djali i komandantit legjendar Adem Jashari. Sigurisht, ky udhëtim prodhoi shumë debat në Facebook. Çka u tha në internet?
Fotografia e Kurtit me Jasharin, rrugës për Tiranë, është pëlqyer jashtëzakonisht shumë. Më saktësisht, deri në momentin e botimit të këtij artikulli, fotografia e dyshës mori 63 mijë pëlqime e 1 mijë e 200 shpërndarje.
Në mesin e shpërndarësve, ishte edhe deputeti i VV-së, Enver Dugolli, i cili duket se nga ekzaltimi shkroi një togfjalësh interesante.
“Vlera kombëtare” – shkroi shkurt, por fuqishëm, z. Dugolli.
Përveç lëvdatave, kampi kritik i Kurtit kishte kritika e ironi. Ndoshta më kritiku në këtë mes ishte Ilir Mirena, analisti i përhershëm në T7, i cili shkroi një status ku e kritikoi Kurtin për mospërmendjen e lojës së Kosovës kundër Andorës, e cila u fitua nga Dardanët me rezultat 3:0.
“Sonte luan edhe Kosova kundër Andorës. Kryeministri populiste i Kosovës shkon në Tiranë për lojën Shqipëri - Çeki.
Asnjë fjalë, asnjë postim në mbështetje të Kosovës, kryeministri i Kosovës…” – shkroi ai.
Ndërsa Vehbi Kajtazi, që po ashtu i përket universit të analistëve të përhershëm, e komentoi fotografinë e Kurtit me Jasharin. Kajtazi vlerësoi se Kurti i ndërron njerëzit në veturë, varësisht prej nevojave që ka.
“Kurti i ndërron njerëzit në veturë varësisht prej nevojave që ka. I shkoi jeta t'u servilos” – shkroi shkurtimisht z. Kajtazi.
Në vallen e komenteve hyri edhe Valon Syla, analist i përhershëm në T7, i cili pyeti ironikisht se “A e dha goll Albin Kurti a?”, që është një pyetje ironike e qëlluar.
“A e dha goll Albin Kurti a?
Kurrë Shqipëria ska fitu 3:0 përpara.
A ju thash që ka me jep goll, mi marrë do likes. 3 statusa ma heret, këtë masdite.
Hajt shane tash tubë Edi Ramën e Shqipërinë, ju vendi i Albin Kurtit e Agim Ademit dhe Prindon Vjosa Osmanit.
Keni mbet thjesht tifoz të Shqipërisë... ju jeni periferia e këtij suksesi. Simpatizant të një suksesi që se keni, e që doni me vjedhë madhështinë e sukseset e tjerëve në Facebook.” – shkroi z. Syla, ndër të tjera.
Parim Olluri, analist, shkroi se Kurti udhëton në Shqipëri, ngase nuk është i zënë me ndonjë takim të nivelit të lartë.
"Normal që shkon Albin Kurti me kqyrë ndeshjen në stadium. Se a mos është nxanë me ndonjë takim të nivelit të lartë a" - shkroi z. Olluri.
Dafina Demaku, analiste e gazetare, është po ashtu një emër që komentoi zhvillimet e djeshme në kualifikimet për Kampionatin Evropian. Ajozgjodhi pytjen me elemente ironike që të komentonte udhëtimin e Kurtit.
“Cka paska ndryshu trajneri i Shqipërisë? Ma i mirë po doket n'qito shpatulla.” - shkroi Dafina Demaku, që për një moment u bë Dafina Hoxha.
Ndoshta më epikja në ketë këtë mes, ishte ironia që dikush e bëri përmes një foto montazhe me kokën e Kurtit në trupin e futbollisitt Jasir Aasani gjatë festës së golit të parë kundër Çekisë. Në trupin e Asanit, që festoi me plis/qeleshe në formën e Jude Bellingham, u vendos koka e Kurtit, që me shumë gjasë është një ironi me narrativën e militantëve të VV-së, të cilët çdo sukses e lidhin me qeverisjen e Kurtit.
Por një person, që ka kryer filozofi, e madje ligjëron filozofi, nuk arriti ta kapte këtë ironi. Ndoshta mendja prej filozofi i Elvis Hoxhës pa përtej ironisë. Hoxha, anëtar i Kryesisë së Vetëvendosjes nga Tirana, u krenua me montazhin, duke bërë edhe një konkludim banal.
“Askush nuk do të mendonte që të vendoste mbi këto shpatulla kokën e Edi Ramës.” – shkroi Hoxha, i cili mori 500 pëlqime për një status absolutisht qesharak.