Krismat e Kumanovës vazhdojnë të oshtijnë: Qysh nja dhjetë kosovarë provuan t’i vënë 'zjarrin botës'? - NACIONALE

Krismat e Kumanovës vazhdojnë të oshtijnë: Qysh nja dhjetë kosovarë provuan t’i vënë 'zjarrin botës'?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Në mëngjesin e 9 majit të vitit 2015, Kumanova u zgjua nën zhurmën e armëve. Asokohe situata nga kjo arenë lufte dukej enigmatike - në mungesë të informacioneve nga ajo zonë e mbyllur, rreth ngjarjes vetëm hamendësohej. Paradoksalisht, edhe 7 vjet më pas, gjykimi ynë mbetet i bazuar në hamendësime. Ngjarja, në tërësinë e saj, sot e kësaj dite mbetet e paqartësuar dhe pyetje të mëdha mbi misionin e atij grupi mbesin të pasqaruara akoma. Por, çka dimë deri tash?

A të duhen luftëtarë,

Gjithë botës t’i vësh zjarr?

Do arratinë të marrë?

Merr nja dhjetë Kosovarë! – Fan S. Noli

Një grup ish-luftëtarësh e veteranësh të luftërave në Ballkan, të mbledhur në Kodrën e Trimave, filluan të luftojnë ashpër përballë policisë maqedonase. Kjo situatë, me kalimin e orëve vetëm përkeqësohej, me këta të fundit që ftonin grupin luftues të vetëquajtur Ushtria Çlirimtare Kombëtare të dorëzohej.

Luftimet brenda qytetit të këtij grupi luftues në lagjen Kodra e Trimave zgjatën edhe për dy ditë, dhe përfunduan me 18 viktima, 8 nga të cilët ishin policë maqedonas ndërsa 10 ishin pjesëtarë të këtij grupi luftues. Në mesin e viktimave nga ky grup luftues përfunduan krerët e tij Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj, dy ish-komandantë dhe figura deri diku të shquara të Ushtrive Çlirimtare në Kosovë e Maqedoni.

Menjëhershëm, 37 persona u arrestuan, shumica shtetas të Kosovës, të cilët në vazhdim iu nënshtruan një gjykimi për terrorizëm. Duhet thënë, qasja zyrtare nga pala maqedonase, nuk ishte më idealja. Personat e akuzuar apriori ishin dënuar për çdo gjë që rëndonte mbi ta, pa filluar procesi. Shtuar kësaj edhe procesi gjyqësor ishte shoqëruar me shumë të panjohura, sekrete dhe kundërti.

Nga të thënat në procesin gjyqësor, do të thotë, nga dëshmitë e personave, qoftë të mbetur gjallë nga luftimet ose njerëz të afërt me ata, pretendohet se misioni të mos ketë qenë destabilizimi i vendit apo shkaktim i ndonjë konflikti të gjerë, por vetëm veprim paralajmërues për mosrespektimin e të drejtave të shqiptarëve brenda Maqedonisë.

Avokati i një pjesë të të akuzuarve, Naser Raufi, gjatë zhvillimit të procesit të parë gjykues, ishte shprehur në lidhje me këtë rast, duke thënë “mendoj se me dëshmitë edhe të personave tjerë që i kemi propozuar, do të dëshmojmë se këta ta akuzuar janë sakrificë e skenarit të huaj, janë të manipuluar. Kauza kombëtare ka qenë i vetmi motiv për ardhjen e tyre këtu, s’ka asnjë motiv tjetër, prandaj mendoj se nuk mund të flitet për akuzën e terrorizmit”.

Edhe avokatja tjetër e grupit, Artene Iseni, pati vlerësuar se “në këtë proces ka gisht politika dhe se kjo sipas saj është vërtetuar nga dëshmitë e të arrestuarve gjatë 50 seancave gjyqësore që janë zhvilluar deri më tani”.

Mirëpo, tashmë një proces i dytë gjyqësor ka dhënë verdiktin mbi këtë lëndë, duke gjetur 34 persona fajtorë. Në datën 2 nëntor të vitit 2019, Gjykata Themelore e Shkupit miratoi vendimin e shkallës së parë kundër të akuzuarve për veprën penale “Terrorizëm”. Lista e të dënuarve është kësisoj:

8 persona burg të përjetshëm,

13 persona nga 40 vjet burg,

6 persona me nga 20 vjet burg,

1 person me 18 vjet burg,

2 persona me nga 14 vjet burg,

2 persona me nga 13 vjet burg,

2 persona me nga 12 vjet burg,

4 persona u liruan.

Ndërsa përfundimisht më 3 janar 2022 Gjykata Supreme e Maqedonisë së Veriut e konfirmoi se ka hedhur poshtë ankesat e të dënuarve si të pabaza dhe e ka konfirmuar aktgjykimin e Apelit. Drejtësia e sistemit maqedonas, mbylli lëndën gjykuese me këtë vendim, sepse nuk ekziston mundësi e apelimit të këtij vendimi.

Reagimi i Kosovës

Megjithëse ky procesi ka arritur deri në fund, shumëçka mbetet e paqartë. Në Kosovë, persona të fuqishëm dhe personazhe të rëndësishme politike, shtetasit e Kosovës që morën pjesë në këtë aksion, vazhdojnë t’i mbajnë për heronj.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, në cilësinë e kryeministrit, kishte vendosur që t’u jepte familjarëve të personave të përfshirë në rastin Kumanova edhe një fond shpërblimi. Kjo kishte nxitur një numër të madh reagimesh denoncuese. Megjithatë, i heshtur në atë kohë e i heshtur edhe në këtë kohë kishte mbetur opozitari i atëhershëm e kryeministri i tanishëm, Albin Kurti.

“Epitetin e padrejtë, terrorist, e ka thënë kolegia juaj (Blerta Deliu), ndërsa ju, tash kinse po brengoseni tani për djemtë e Kumanovës që mbahen në burg atje. Populli ynë e ka një fjalë të urtë për këtë shprehje e këtë sjellje tuajën, por atë unë juve sot këtu s’po jua them”, kishte thënë Kurti gjatë vitit të kaluar duke reaguar ndaj një kërkese që të dënuarit e rastit të Kumanovës të vuanin dënimin në Kosovë.

Ndonëse, edhe në këtë situatë, një qasje pranuese karshi figurave të tilla nuk duhet të përligjej, meqë veprimi i tyre gjatë 9 dhe 10 majit në Kumanovë është i ditur - rrethana dhe misioni, mbase akoma është i pazbuluar.

Lajme të ngjashme